
Tirana pret Kampionatin Europian të Minifutbollit, marrin pjesë 25 shtete
Shqipëria do të mirëpresë në datat 20–24 maj Kampionatin Europian të Minifutbollit, një ngjarje që do të zhvillohet në kryeqytet, me pjesëmarrjen e 25 shteteve nga e gjithë Europa.

Shqipëria do të mirëpresë në datat 20–24 maj Kampionatin Europian të Minifutbollit, një ngjarje që do të zhvillohet në kryeqytet, me pjesëmarrjen e 25 shteteve nga e gjithë Europa.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, e cilësoi organizimin e këtij kampionati si një moment të rëndësishëm për promovimin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare sportive dhe turistike.
“Ky është një moment për të treguar jo vetëm nivelin e organizimit, por edhe pasionin dhe mikpritjen shqiptare. Tirana po bëhet gati të presë Europën”, theksoi ministri.
Kampionati organizohet nga Socca Albania, duke sjellë në Tiranë përfaqësuese nga 25 vende, çka e kthen këtë event në një nga aktivitetet më të mëdha të mini-futbollit të zhvilluara ndonjëherë në Shqipëri.
Nën moton “Tirana – Shtëpia e Futbollit”, aktiviteti pritet të krijojë një atmosferë festive përgjatë pesë ditëve të garës, duke kontribuar në rritjen e fluksit të vizitorëve dhe në promovimin e vendit si destinacion sportiv dhe turistik.
Organizimi i këtij kampionati konsiderohet një tjetër hap në forcimin e profilit ndërkombëtar të Shqipërisë si vend mikpritës i eventeve sportive me përmasa europiane.
Burimi ATSH



















