Spitali i ri i Kardiokirurgjisë, Rama: Adresojmë të gjitha nevojat e QSUT me buxhetin e vitit 2027

Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” është vënë në funksion spitali i ri i Kardiokirurgjisë, një strukturë e re e pajisur me ambiente dhe shërbime moderne, e konceptuar për të garantuar standarde më të larta të kujdesit për pacientët.


Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” është vënë në funksion spitali i ri i Kardiokirurgjisë, një strukturë e re e pajisur me ambiente dhe shërbime moderne, e konceptuar për të garantuar standarde më të larta të kujdesit për pacientët.

Gjatë inspektimit të ambienteve të reja, Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, u njohën nga afër me kapacitetet dhe organizimin e shërbimeve të kardiokirurgjisë, si dhe me ndërhyrjet e kryera në kuadër të përmirësimit të infrastrukturës spitalore.

Në repartin e kardiokirurgjisë janë shtuar tre shtretër, duke e çuar kapacitetin nga 35, në 38 shtretër. Struktura përfshin 15 dhoma të ndara, me dhoma dyshe, të konceptuara për të garantuar kushtet e nevojshme të higjienës dhe sterilitetit.

Një tjetër përmirësim i shërbimeve në strukturën e re është krijimi i një dhomë të dedikuar për kryerjen e procedurave sterile, duke shmangur nevojën për realizimin e tyre në reanimacion.

Blloku operator përfshin pesë salla, dy salla për kirurgjinë vaskulare, dy salla për kirurgjinë kardiake dhe një sallë hibride, duke zgjeruar dhe përmirësuar kapacitetet për ndërhyrjet kirurgjikale dhe procedurat komplekse.

Një tjetër element i planit për zhvillimin e QSUT-së lidhet me autonominë financiare e cila hyn në fuqi vitin e ardhshëm.

Gjatë vizitës në Kardiokirurgji, ministrja e Shëndetësisë Klodiana Spahiu dhe Kryeministri, vlerësuan kontributin e profesionistëve që kanë shërbyer ndër vite në këto struktura dhe i dorëzuan certifikata mirënjohjeje profesorëve dhe mjekëve Edmond Kapedani, Aurora Knuti, Efrosina Kajo, Arben Baboçi, Ajli Alushani dhe Ali Refatllari.

“Falënderimi është shumë i madh për të gjithë profesorët që kanë kontribuar dhe që për fat janë këtu me ne sot. Do bëjmë më të mirën në të gjithë shërbimet, por gjithsesi unë do doja një bashkëpunim të ngushtë të drejtoreshës me gjithë shefat e shërbimeve. Duhet të vlerësojmë njerëzit që kanë dhënë kontributin ndër vite në këto shërbime dhe unë kam kënaqësinë dhe nderin që t’ju jap ju certifikatën e mirënjohjes për prof. dr Edmond Kapedanin, doktoreshë Aurora Knutin, prof. dr. Efrosina Kajo, prof. dr Arben Baboçi, prof. dr Ajli Alushani, prof. dr. Ali Refatllari, të gjithë janë profesorët e mi”, tha ministrja Spahiu.

Kryeministri Rama nga ana e tij tha se, “e vërteta është që investimet në QSUT në tërësinë e tyre janë kryer dhe ajo që është e qartë nga ana ime është që nuk duhet të kemi më kufizim në buxhetin e QSUT-së për sa i përket kompletimit të nevojave dhe do duhet t’i adresojmë të gjitha me buxhetin e vitit 2027. Kjo është ambicia. E dyta, që diskutuam edhe më parë, është që me përfundimin e parkimit të madh me 1400 vende në hyrje, përfundimisht ne i heqim të gjitha makinat nga territori i spitalit. Aty, me sa unë kuptova, janë 900 makina të personelit dhe mbeten edhe 500 vende të tjera që janë të ardhura dytësore për spitalin”.

Ndërkohë, vijoi Kryeministri, që gjithë territorin e spitalit do ta kthejmë në një park shumë të bukur për të cilin do punojmë tani edhe të cilin besoj do ta realizojmë në harkun e dy viteve.

“Kjo është e rëndësishme dhe e treta jemi duke vazhduar të diskutojmë për partneritetin e spitalit me një strukturë tjetër shumë të njohur. Kemi disa opsione, por diskutimet vazhdojnë dhe besoj që shumë shpejt do arrijmë të ndërtojmë këtë partneritet i cili do konsistojë në një menaxhim të spitalit dhe në një ndërveprim të spitalit me strukturën partnere ku mjekët do jenë në një program bashkëpunimi. Mjekët e spitalit tonë do shkojnë atje. Mjekët e spitalit atje do vijnë këtu. Pra jo thjesht vizita pune, por një strukturë që administrohet me standardet e ekselencës edhe që do të na do të na japi shumë dorë pastaj për të pasur qartësi edhe për autonominë financiare që hyn në fuqi vitin e ardhshëm”, nënvizoi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “pjesë e këtij plani është edhe ndërtimi i një strukture private brenda spitalit, e cila do të jetë një strukturë ku ju të punoni paralelisht dhe që të sjellë dhe një rritje domethënëse edhe të të ardhurave tuaja. Ky është plani. Jemi në negociata. Ministrja po bën diskutimet. Kemi goxha arsye të jemi optimistë”.

Investimet në QSUT do të vijojnë edhe në fazat e ardhshme, me synimin për të adresuar nevojat e strukturës spitalore dhe për të përmirësuar më tej kushtet e ofrimit të shërbimit për pacientët dhe stafin.

Lexo më shumë nga

Spahiu me studentët e “Marin Barletit”: Suksesi matet edhe me gjurmën që lini

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, mori pjesë në ceremoninë me studentët e Universitetit “Marin Barleti”, në një…

Global 360

DASH përshëndet Shqipërinë për nënshkrimin e marrëveshjeve ”Artemis”: Ndër aleatët më të palëkundur të SHBA-ve

Shqipëria është vendi i 73-të që nënshkruan këto marrëveshje deri më sot, duke konfirmuar angazhimin e saj për eksplorimin dhe…

Diplovista

Linda Rama intervistë për “Fortune Greece”: Nga qëndrueshmëria tek konkurrueshmëria, narrativa e re e rritjes për Ballkanin Perëndimor

Në intervistën e saj për “Fortune Greece”, Linda Rama thekson se sot, pyetja për rajonin e Ballkanit Perëndimor është nëse…

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Beretat jeshile zbarkojnë në Tiranë

Si sot 35 vjet më parë, më 1 tetor 1991, u rihap Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, një…

Profil

MILANO 2026 – BBC: Lara Colturi, skiatorja që po bën Shqipërinë krenare

Lara Colturi është vetëm 19 vjeçe, por ajo mund të bëjë historinë olimpike duke u bërë medalistja e parë e…

Masmedia

Spahiu me studentët e “Marin Barletit”: Suksesi matet edhe me gjurmën që lini

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, mori pjesë në ceremoninë me studentët e Universitetit “Marin Barleti”, në një…