Ndryshimet e Kodit të Procedurës Penale, Gogu: Mbrohet prezumimi i pafajësisë

Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, prezantoi sot, së bashku me Këshillin e Evropës, projektndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, duke hapur konsultimin publik për një ndërhyrje të gjerë në legjislacionin procedural penal.


Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, prezantoi sot, së bashku me Këshillin e Evropës, projektndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, duke hapur konsultimin publik për një ndërhyrje të gjerë në legjislacionin procedural penal.

Në qendër të ndryshimeve janë paraburgimi, alternativat ndaj arrestit në burg, forcimi i garancive procedurale dhe mbrojtja e të drejtave të individit.

Në prani të Kryeministrit, përfaqësuesve të Këshillit të Europës dhe drejtuesve të institucioneve të drejtësisë, Gogu e nisi fjalën me rastin e Afërdita Hysës, të shqyrtuar nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, për të theksuar rëndësinë e arsyetimit të çdo vendimi që kufizon lirinë e individit.

Ministri solli në vëmendje të dhënat e Këshillit të Europës, sipas të cilave, në vitin 2024, pothuajse gjashtë në dhjetë persona në institucionet penitenciare shqiptare nuk kishin ende një vendim të formës së prerë, ndërsa kohëzgjatja mesatare e paraburgimit në gjykatat e juridiksionit të përgjithshëm ishte rreth 253 ditë.

Gogu theksoi se arresti në burg duhet të ketë karakter përjashtimor, ndërsa pesha e akuzës nuk mund të jetë e mjaftueshme në vetvete për kufizimin e lirisë.

Nga ana tjetër, Gogu tha se se “kur sot 2353 njerëz ndodhen në paraburgim, një pjesë e madhe e tyre presin, presin një vendim përfundimtar, ne duhet të shqyrtojmë kohëzgjatjen, duhet të shqyrtojmë arsyetimin dhe alternativat në funksionimin e sistemit”.

Sipas tij, duhet të argumentohet konkretisht përse masat e tjera më pak kufizuese nuk janë të mjaftueshme.

Projektndryshimet parashikojnë forcimin e të drejtave të mbrojtjes gjatë hetimit, kufizimin e aksesit në të dhënat personale gjatë sekuestrimit të telefonave, mbrojtjen e prezumimit të pafajësisë dhe masa shtesë për mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje.

Një tjetër pikë e rëndësishme e fjalës së ministrit ishte funksionimi i alternativave ndaj paraburgimit. Gogu njoftoi se qeveria ka ndarë fondet për mbikëqyrjen elektronike dhe se Ministria e Drejtësisë angazhohet ta vërë atë në funksion brenda pranverës së ardhshme.

“Ndaj ministria sot merr të gjitha përgjegjësitë e veta pasi, ndërsa ne flasim, askush nuk gjendet nën mbikëqyrje elektronike, siç parashikon ligji dhe një alternativë që ekziston vetëm në ligj, nuk është kurrfarë alternative. Ndaj kthimi i saj në praktikë na takon neve, jo gjykatës, qeveria ka ndarë tashmë fondet për zbatimin e monitorimit elektronik dhe ne angazhohemi ta vëmë atë në funksion brenda pranverës së vitit të ardhshëm. Po aq rëndësi kanë regjistrimi audioviziv i marrjes në pyetje dhe kuadri për provën digjitale. Por krijimi i kushteve për to, në pajisje, në ekspertizë, në kohë, na detyron që të jemi pragmatikë me hyrjen në fuqi të ligjit”, tha ai.

Ministri propozoi gjithashtu hartimin e një strategjie të përbashkët për paraburgimin, në bashkëpunim me Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë, me fokus cilësinë e vendimeve, funksionimin e alternativave dhe transparencën.

Duke ftuar gjyqtarët, prokurorët, avokatët, akademikët dhe shoqërinë civile të kontribuojnë në konsultimin publik, të hapur deri më 28 tetor, Gogu theksoi rëndësinë e përfshirjes së profesionistëve të drejtësisë në hartimin e ndryshimeve.

“Sfida e shtetit të së drejtës është t’u dalë për zot të dyjave. Të ndjekë krimin pa i hyrë në hak prezumimit të pafajësisë. Të mbrojë shoqërinë pa e trajtuar akuzën si dënim”, theksoi Gogu.

Me këtë mesazh, ministri nënvizoi synimin për një drejtësi që tregon të njëjtën forcë përballë krimit dhe në mbrojtjen e lirisë.

/Burimi ATSH

Lexo më shumë nga

Rama: Në 10 vite, shembëm kultin 100-vjeçar të pandëshkueshmërisë

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se 10 vjet pas miratimit të reformës në drejtësi u shemb kulti 100-vjeçar i pandëshkueshmërisë.

Global 360

Ana Brnabiç presidentja e përkohshme e vendit

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, dha dje në mbrëmje dorëheqjen

Diplovista

Linda Rama intervistë për “Fortune Greece”: Nga qëndrueshmëria tek konkurrueshmëria, narrativa e re e rritjes për Ballkanin Perëndimor

Në intervistën e saj për “Fortune Greece”, Linda Rama thekson se sot, pyetja për rajonin e Ballkanit Perëndimor është nëse…

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Një ambasador i ri amerikan për një partneritet në ndryshim?

Eric Wendt dorëzon kredencialet në Tiranë, ndërsa Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara hyjnë në një fazë të re të partneritetit…

Profil

MILANO 2026 – BBC: Lara Colturi, skiatorja që po bën Shqipërinë krenare

Lara Colturi është vetëm 19 vjeçe, por ajo mund të bëjë historinë olimpike duke u bërë medalistja e parë e…

Masmedia

Rama: Në 10 vite, shembëm kultin 100-vjeçar të pandëshkueshmërisë

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se 10 vjet pas miratimit të reformës në drejtësi u shemb kulti 100-vjeçar i pandëshkueshmërisë.