
Protestat kundër investimit në Zvërnec, Rama: Projekti do të vendoset nga ndikimi në mjedis
Kryeministri Edi Rama foli sot në lidhje me protestat kundër investimit të planifikuar në Zvërnec, duke deklaruar se vijimi ose jo i projektit do të përcaktohet nga vlerësimi shkencor dhe ndikimi në mjedis.

Kryeministri Edi Rama foli sot në lidhje me protestat kundër investimit të planifikuar në Zvërnec, duke deklaruar se vijimi ose jo i projektit do të përcaktohet nga vlerësimi shkencor dhe ndikimi në mjedis.
Gjatë një interviste në Samitin Euronews 2026, Rama tha se investimi nuk lidhet me marrëdhëniet politike me Donald Trump, por me potencialin që investitorët kanë parë në Shqipëri.
Sipas kryeministrit, diskutimet për investimin kanë nisur përpara se Donald Trump të rizgjidhej president i SHBA-së.
“Arsyeja përse kanë ardhur, arsyeja reale nuk është politike, nuk lidhet me Trumpin, lidhet me faktin që dhëndri i Donald Trumpit, së bashku me një kompani shumë të madhe, edhe në turizëm nga Katari, e pa shumë të tërheqëse të investonte në Shqipëri. Dhe biseda ka nisur në kohën kur nuk ishte e qartë nëse do të vinte Donald Trump”, tha Rama.
Rama e cilësoi projektin si pjesë të një vizioni për “turizmin e brezit të ri”, teksa shtoi se zhvillimi ekonomik dhe mbrojtja e natyrës nuk duhet të shihen domosdoshmërisht si të kundërta.
“Kështu që nuk ka aspak lidhje me këtë, ka lidhje me Shqipërinë, me potencialin e saj dhe me ambicien tonë për të bërë diçka që është turizmi i brezit të ri. Turizmi i brezit të ri nuk duhet të jetë rrjedhojë e një konflikti midis zhvillimit dhe natyrës. Duhet të jetë, për kundër kësaj, rezultati i zhvillimit së bashku me natyrën. Nga ana tjetër, mënyra se si zhvillohemi sot nuk duhet të mbështetet te stereotipet e konservimit, por duhet të mbështetet te nevoja për rigjenerim, sepse gjithkush dhe do t’ju jap vetëm një shembull”, tha ai.
I pyetur në lidhje me protestat, Rama tha se qasja duhet të fokusohet te rigjenerimi i ekosistemit. Ai shtoi se laguna dhe zona përreth kanë probleme mjedisore dhe se projekti synon të përfshijë ekspertizë nga arkitektë, inxhinierë mjedisi, hidrologë dhe gjeologë.
“Për të gjithë ata që thonë “ah, kjo laguna”, por askush nuk e di se sa e ndotur është ajo lagunë, e sa probleme kemi me të gjitha llojet e pemëve në atë zonë që duan kujdes, që duhen rigjeneruar e që duhen ruajtur përmes rigjenerimit. Kjo është ajo çfarë po përpiqemi të bëjmë me arkitektët më të mëdhenj, me inxhinierët të mjedisit, me hidrologët e gjeologët më të mirë, për të ardhur me diçka që do të jetë një destinacion ku natyra do të jetë ajo që del në pah e ku njerëzit do të kalojnë pushimet e ku shqiptarët do të marrin mbrapsht gjithçka që meritojnë nga kjo, që do të thotë një ekonomi shumë më e fortë”, tha Rama.
“Unë nuk po flas për ideologji. Po flas për diçka krejt tjetër. Duhet ta kuptojmë që me atë çfarë dimë sot, me ekspertizën që kemi sot, me sfidat me të cilat përballemi sot, duhet të jemi krijues, duhet të jemi novatorë dhe absolutisht duhet të mendojmë për natyrën si aset më i rëndësishëm që kemi, por duhet të mendojmë se si ta ndryshojmë këtë koncept nga konservimi në rigjenerim. Jo thjesht duhet të konservojmë, por duhet të rigjenerojmë”, tha Rama.
I pyetur nëse ndërtimi do të vijonte pavarësisht protestave, kryeministri tha se “do të them atë që kam thënë qysh prej ditës së parë, që në qoftë se ndërtimi do të vazhdojë apo jo, kjo do të vendoset, jo në rrugë, por në bazë të shkencës”.
Rama tha se vendimi do të lidhet me vlerësimin e ndikimit në mjedis. Ai shtoi se, nëse ekspertiza arrin në përfundimin se një pjesë e zonës nuk duhet prekur, ajo nuk do të preket.
“Në qoftë se kemi një vlerësim të ndikimit në mjedis që na thotë se ku jemi në rregull dhe ku mund të jemi gabim, atëherë do të rregullojmë atë, do të ndreqim atë çfarë është gabim dhe do të vazhdojmë me atë që është e drejtë. Po në qoftë se na thuhet që kjo pjesë nuk duhet prekur, nuk e prekim, por është shkenca që e vendos, nuk e vendos rruga dhe ideologjia”, tha ai.
Burimi ATSH


















