
Rama: Qytetarët kërkojnë shumë më tepër sesa rezultatet e pasqyruara në raporte apo klasifikime
Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, deklaroi sot se Shqipëria ka shënuar rezultate të rëndësishme në një sërë reformash dhe klasifikimesh rajonale.

Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, deklaroi sot se Shqipëria ka shënuar rezultate të rëndësishme në një sërë reformash dhe klasifikimesh rajonale.
Në fjalën e mbajtur para grupit parlamentar të PS-së dhe kabinetit qeveritar, Rama vuri në dukje se Shqipëria renditet në krye të rajonit në disa prej vlerësimeve ndërkombëtare që lidhen me reformat.
“Ne jemi dukshëm në vendin e parë prokurimet publike, për transparencën e prokurimeve publike për konkurrueshmërinë. Ne jemi në vendin e parë në rajon për menaxhimin e financave publike, për sistemin e taksimit dhe administrimin publik. Këto rezultate pasqyrojnë progresin e reformave të ndërmarra dhe pozicionin udhëheqës të Shqipërisë në rajon në këta tregues.”
Por, vijoi Rama, problemi ynë është që kjo nuk ka asnjë vlerë sot për situatën ku jemi, kur shqiptarët na kanë thënë se “çfarë keni bërë shkruajeni nëpër libra për historinë e partisë tuaj apo për historitë tuaja individuale, ne nuk na intereson, ne i duam tani, i duam të gjitha tani. E duam Shqipërinë Gjermani, Francë, Norvegji dhe Angli”.
Pra, shtoi Rama, duan shumë me tepër sesa këto klasifikime të raporteve etj.
Sipas tij, qytetarët kërkojnë shumë më tepër sesa rezultatet e pasqyruara në raporte apo klasifikime ndërkombëtare.
“Nuk mund t’u themi atyre që ndjesia juaj është e gabuar, se statistika thotë kështu ose mërzia jote është gabim, shifra thotë kështu, pakënaqësia jote është mëkat se faktet thonë kështu. Ndjesia, mërzia, pakënaqësia nuk është problemi i tyre, është problemi ynë”, nënvizoi Rama.
Për këtë arsye, tha Kryeministri, duhet krijuar një sistem që të jetë në gjendje ta komunikojë shteti – jo të komunikojë në sensin e mbushjes së mendjes – por ta komunikojë shtetin në të gjitha këto dimensione dhe ta komunikojë shtetin tek besimi në karrierë për njerëzit që duan të punojnë në shtet.
Burimi ATSH

















