
Rama pret studentët nga Prishtina: Politika, mundësia për të bërë bashkë gjëra që vetëm s’i bën dot
Kryeministri Edi Rama ka pritur Këshillin Studentor të Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës në Kryeministri me të cilët zhvilloi një bashkëbisedim për rolin e politikës dhe rëndësinë e angazhimit qytetar.

Kryeministri Edi Rama ka pritur Këshillin Studentor të Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës në Kryeministri me të cilët zhvilloi një bashkëbisedim për rolin e politikës dhe rëndësinë e angazhimit qytetar.
Rama u shpreh gjatë këtij takimi se politika është një mundësi për të bashkuar njerëzit dhe për të çuar përpara çështje që individi i vetëm nuk mund t’i realizojë.
“Të merresh me politikë do të thotë që të shfrytëzosh një fuqi që të bën ty me probabilitet që të dëgjohesh. Politika është mundësia të bësh bashkë gjëra që vetëm s’i bën dot”, tha Rama.
Një prej studentëve e falënderoi Kryeministrin Rama për nismën për hapjen e një konsullate shqiptare në Luginën e Preshevës, duke e cilësuar atë si një hap të nevojshëm për shqiptarët që jetojnë në atë zonë.
“Dua t’ju falënderoj edhe për iniciativën për hapjen e një konsullate në Luginën e Preshevës. Ka qenë më se e nevojshme”, u shpreh një student.
Duke iu referuar hapjes së konsullatës së Serbisë në Shkodër, Rama tha se vendosja e një konsullate serbe në një zonë ku nuk ka një komunitet të konsiderueshëm serb dhe hapja e një konsullate shqiptare në Luginën e Preshevës kanë një domethënie të ndryshme.
“Të hapësh një konsullatë të Serbisë ku s’ka fare serbë, edhe të marrësh një konsullatë të Shqipërisë ku janë shqiptarët atje në pikë të hallit, kuptohet shumë mirë se çfarë është kjo. Këta, jo se po na vijnë serbët na marrin Shkodrën!” u shpreh Rama.
Gjatë takimit, Rama u ndal edhe te libri i ish-sekretarit amerikan të Shtetit, Henry Kissinger mbi lidershipin duke ua rekomanduar studentëve.
“Kush nuk e ka lexuar, duhet ta lexojë librin e Kissinger-it për lidershipin. Është një super libër. Është diçka e jashtëzakonshme. Mësoni shumë për sa i përket mënyrës se si mendojnë udhëheqës të ndryshëm, natyra të ndryshme, në kontekste të ndryshme”, tha Rama.
Në fund të takimit, studentët shprehën mirënjohjen për pritjen dhe mundësinë për t’u dëgjuar.
Rama i ftoi studentët që të vijojnë komunikimin dhe u sugjeroi të aplikojnë për shërbimet diplomatike shqiptare.
Marrë nga ATSH


















