
Rama: Duhet të ndeshemi me tri plagë të shtetit, “Pasqyrë Albania” pjesë e përpjekjes për t’i kuruar
Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste theksoi sot rëndësinë e reformës së domosdoshme në marrëdhëniet qytetar-shtet, duke u ndalur te platforma BESA, “Pasqyrë Albania”, “Prania Besnike” dhe “Shkalla e Meritës”.

Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste theksoi sot rëndësinë e reformës së domosdoshme në marrëdhëniet qytetar-shtet, duke u ndalur te platforma BESA, “Pasqyrë Albania”, “Prania Besnike” dhe “Shkalla e Meritës”.
Në fjalën e mbajtur para grupit parlamentar të PS-së dhe kabinetit qeveritar, Rama tha se i tërë ekosistemi i ri i komunikimit të shtetit dhe të Partisë Socialiste me qytetarin nuk janë portale, as slogane, por janë komponentë të një reforme të domosdoshme të marrëdhënies qytetar-shtet.
“Më vjen mirë se çfarë kemi bërë me në këtë fazë përgatitore të sezonit të ri politik ka ngjallur interes dhe kundërshti. Shqiptarët nuk kanë nevojë për një aplikacion tjetër që t’i shtohet xhunglës digjitale. PS-së nuk i duhet një kalendar tjetër që prodhon takime me vetveten dhe material propagandistik”, shtoi Rama.
Kryeministri theksoi se “hendeku i hapur mes nesh dhe njerëzve të Shqipërisë së rilindur nuk mbushet me një fjalë sado të madhe si BESA”.
“Dhe mbi të gjitha hendeku real për të cilin kemi folur mjaftueshëm dhe për të cilin tani është koha të fillojmë të punojmë të gjithë së bashku që ta mbushim mes nesh dhe njerëzve nuk mbushet me thjesht dhe vetëm një fushatë komunikimi”, tha më tej Rama.
“BESA, Prania Bsnike, Pasqyrë Albania dhe Shkallë e Meritës si dhe i tërë ekosistemi i ri i komunikimit të shtetit me qytetarin, nuk janë portale, por komponentë të një reforme të domosdoshme të marrëdhënies qytetar-shtet. Një reformë që rikoncepton 4 pika kyçe: si e sheh shteti problemin, si e dëgjon shumica qeverisëse njeriun, si mbahet fjala e dhënë me ligj dhe me zakon pastaj dhe si hapet dera e shërbimit publik për meritën”, theksoi Rama.
Ai shtoi se “ne në një dekadë kemi kryer një operacion të gjerë, jo uniformë në të gjithë komponentët e vet, diku më gjerë e diku më cekët të organizimit shtetëror”.
“Sot duhet të ndeshemi me tri plagë. Njëra është plaga e shtetit labirint, ku qytetari nuk di kur dhe kush duhet t’i përgjigjet. Plaga e dytë është mungesa e memories institucionale. Premtohet, flitet, vendoset, por nuk mbahet regjistër llogarish për atë që u bë, që nuk u bë, që u vonua apo për atë që ndryshoi rrugës. Nuk është protokoll institucioni, dhe mungesa e memories i kushton shtetit dhe qytetarit shumë herë më tepër sesa imagjinohet”, nënvizoi kreu i ekzekutivit.
Rama shtoi se “është plaga e derës që nuk duket, që e sheh dhe mund ta prekësh: të ndjerit e drejtë e çdo njeriu që për një shërbim, për një vend pune apo mundësi, njohja vlen më shumë se merita dhe fati vlen më shumë se ligji. Pasqyrë Albania dhe Shkalla e Meritës janë pjesë të pandashme e përpjekjes për t’i dhënë përgjigje pyetjeve dhe për të kuruar këto plagë”.
Kryeministri nënvizoi se “Pasqyrë Albania është një hapësirë e re ku flasin teknologjia dhe mundësia që na jep në këtë fazë të zhvillimit IA. Mund të bashkëjetojnë e gjithë qenia publike e shtetit dhe e drejta e çdo qytetari për të kontrolluar shtetin e vet, për ta pyetur dhe për të kërkuar mbështetje”.
Rama theksoi se qytetari nuk mund të fajësohet pse bie pre e dezinformimit lidhur me punët publike, sepse nuk e ka mundësinë që t’i referohet drejtpërdrejt vetë kantierit apo shërbimit përkatës.
Në këtë drejtim, Rama theksoi se “Pasqyrë Albania” duhet të jetë vendi që qytetari mund t’i referohet vetë çdo gjëje që po bëhet me taksat e tij.
“Qytetari duhet të ketë mundësinë që të gjejë me dokumente, me procesverbale se çfarë ndodh realisht. Kjo e ndryshon tërësisht pozitën e qytetarit dhe kjo i jep qytetarit një nga gjërat të cilat atij sot i mungojnë shumë. Qytetari kalon nga një viktimë potenciale e dezinformimit në një kapacitet të plotë mbikëqyrësi”, tha Rama.
Burimi ATSH

















