
Malaj: Pagat e magjistratëve s’janë bllokuar nga ne, sillni listëpagesat sipas metodologjisë në fuqi
Ministri i Financave, Petrit Malaj, ka reaguar për çështjen e pagave të magjistratëve dhe personelit të sistemit të drejtësisë, duke mohuar që pagesat të jenë bllokuar nga Ministria e Financave.

Ministri i Financave, Petrit Malaj, ka reaguar për çështjen e pagave të magjistratëve dhe personelit të sistemit të drejtësisë, duke mohuar që pagesat të jenë bllokuar nga Ministria e Financave.
Malaj sqaron për Euronews se problematika lidhet me mënyrën e hartimit të listëpagesave të muajit gusht nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë.
Sipas Malajt, KLGJ dhe KLP kanë paraqitur listëpagesat e muajit gusht mbi bazën e një metodologjie të ndryshme nga ajo që është aktualisht në fuqi.
Për këtë arsye, ministri u ka kërkuar dy institucioneve që listëpagesat dhe urdhërshpenzimet e muajit gusht të paraqiten sërish sipas metodologjisë së përdorur deri në muajin korrik.
Malaj argumenton se ndryshimet e reja në pagat e magjistratëve nuk mund të zbatohen ende në listëpagesa, pasi ndryshimet ligjore përkatëse nuk janë miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë.
“Ministria e Financave, as nuk mund të zëvendësojë Kuvendin në ushtrimin e funksionit normativ, as nuk mund të përcaktojë, nëpërmjet procedurave të ekzekutimit buxhetor, formulën konkrete të pagës”, shprehet Malaj.
Ministri i referohet edhe vendimit nr. 15, datë 17 shkurt 2026, të Gjykatës Kushtetuese, duke theksuar se vendimi është përfundimtar dhe detyrues, por zbatimi i tij kërkon ndryshimet ligjore përkatëse, të cilat duhet të miratohen nga Kuvendi.
Sipas Ministrisë së Financave, fakti që pagat e institucioneve të tjera të sistemit të drejtësisë janë ekzekutuar normalisht tregon se nuk bëhet fjalë për një bllokim të përgjithshëm të pagave. SPAK, Gjykata Kushtetuese dhe institucione të tjera kanë paraqitur listëpagesat e gushtit sipas metodologjisë ekzistuese dhe pagesat janë kryer.
Në këtë situatë, Malaj u kërkon KLGJ-së dhe KLP-së që të paraqesin pa vonesë listëpagesat e gushtit, duke përdorur parametrat e listëpagesës së muajit korrik.
“Sapo strukturat e Thesarit të disponojnë listëpagesat sipas parametrave në fuqi, ato do të procedojnë me përparësi dhe do të kryejnë pa vonesë pagesat”, garanton ministri.
Malaj thekson gjithashtu se Ministria e Financave nuk e vë në diskutim vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Sipas tij, pas miratimit nga Kuvendi të ndryshimeve ligjore, ministria do të marrë menjëherë masat për zbatimin e tyre dhe do të sigurojë edhe burimet financiare për çdo diferencë page që do të rezultojë e detyrueshme, përfshirë efektet për periudhat e mëparshme.
Pra, sipas Ministrit të Financave, pagat e magjistratëve nuk janë bllokuar nga Thesari. Pagesat mund të procedohen mbi bazën e metodologjisë aktualisht në fuqi, ndërsa ndryshimet e reja në paga do të reflektohen pasi Kuvendi të miratojë kuadrin ligjor përkatës./Euronews Albania/


















