
Koçiu: Dyfishohet mbështetja për bletarët, 7016 aplikime në Skemën Kombëtare 2026
Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ndau sot shembullin e Haxhires, një bletareje që prej rreth 50 vitesh merret me këtë aktivitet dhe aktualisht kujdeset për 68 koshere bletësh.

Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ndau sot shembullin e Haxhires, një bletareje që prej rreth 50 vitesh merret me këtë aktivitet dhe aktualisht kujdeset për 68 koshere bletësh.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Koçiu vlerësoi punën e bletarëve shqiptarë dhe mbështetjen që ata marrin përmes Skemës Kombëtare të Bujqësisë.
“Këtë vit, kemi dyfishuar mbështetjen për bletarët në 2 000 lekë për koshere, një ndihmë konkrete për përballimin e kostove dhe zhvillimin e aktivitetit”, u shpreh Koçiu.
Sipas saj, pas uljes së pragut të financimit për këtë masë, në Skemën Kombëtare të Bujqësisë për vitin 2026 kanë aplikuar 7 016 bletarë.
Haxhireja, e cila prej pesë dekadash merret me bletari, tregon se aktiviteti kërkon përkushtim, kohë dhe shpenzime të vazhdueshme, pavarësisht pasionit për këtë profesion.
Ajo shprehet se ka përfituar çdo vit nga skemat mbështetëse të shtetit, të cilat, sipas saj, janë një ndihmë e rëndësishme për përballimin e kostove të bletarisë.
“Bleta do pa fundësisht shpenzime, megjithatë prapë jemi të kënaqur ta shërbejmë”, shprehet ajo, duke nënvizuar vështirësitë dhe përkushtimin që kërkon kujdesi për kosheret.
Koçiu theksoi se politikat mbështetëse synojnë të ndihmojnë njerëzit që punojnë dhe prodhojnë, duke kontribuar në zhvillimin e ekonomisë shqiptare.
“Mbështesim njerëzit që punojnë, prodhojnë dhe e bëjnë ekonominë e Shqipërisë më të fortë çdo ditë”, deklaroi ajo.
Burimi ATSH



















