
300 kredi me interes zero për shtëpinë e parë, aplikimet në e-Albania deri më 25 shtator
Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu, njoftoi përmes një video-mesazhi se aplikimet janë të hapura në platformën e-Albania deri më 25 shtator.

300 punonjës të administratës publike do të mund të përfitojnë kredi me interes zero për blerjen e shtëpisë së parë.
Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu, njoftoi përmes një video-mesazhi se aplikimet janë të hapura në platformën e-Albania deri më 25 shtator.
“Po sikur interesi që i paguan bankës të mos ishte më pengesë për të blerë shtëpinë tënde? Për mjekët, ushtarakët, mësuesit, punonjësit e Policisë së Shtetit, policisë së burgjeve, kjo mundësi tashmë është realitet”, u shpreh Koçiu.
Ajo theksoi se edhe këtë vit janë vënë në dispozicion 300 kuota kredie me interes zero, të dedikuara për profesionistët që shërbejnë çdo ditë qytetarët.
“Edhe këtë vit kemi vënë në dispozicion 300 kuota kredie me interes zero për profesionistët që janë çdo ditë në shërbim të qytetarëve”, deklaroi Koçiu.
Sipas saj, skema u jep mundësi punonjësve që kujdesen për shëndetin, arsimin dhe sigurinë publike të blejnë banesën e tyre të parë me kushte më të favorshme financimi.
“Sepse ata që kujdesen për shëndetin tonë, garantojnë sigurinë e fëmijëve tanë, meritojnë një mundësi më shumë për të ndërtuar jetën e tyre në Shqipëri”, tha Koçiu.
Aplikimet kryhen online përmes shërbimit përkatës në platformën e-Albania.
Burimi ATSH


















