
Kumbaro: Programi “Pas Shkolle” shtrirje në mbi 400 institucione arsimore
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro zhvilloi një takim me drejtues të Ministrisë së Arsimit, agjencive të arsimit parauniversitar, Drejtorive Rajonale dhe 52 Zyrave Vendore Arsimore, ku u diskutuan masat për nisjen e një viti sa më të mbarë shkollor.

Përgatitjet për nisjen e vitit të ri shkollor kanë hyrë në fazën përfundimtare, ndërsa programi “Pas Shkolle” do të shtrihet këtë vit në më shumë se 400 institucione arsimore në të gjithë vendin.
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro zhvilloi një takim me drejtues të Ministrisë së Arsimit, agjencive të arsimit parauniversitar, Drejtorive Rajonale dhe 52 Zyrave Vendore Arsimore, ku u diskutuan masat për nisjen e një viti sa më të mbarë shkollor.
Në fokus të takimit ishin përgatitjet infrastrukturore, siguria në shkolla, kurrikulat e reja, krijimi i mjediseve miqësore për nxënësit, si dhe forcimi i komunikimit me prindërit, mësuesit dhe komunitetet arsimore.
Kumbaro tha se, “një nga komponentët e rëndësishëm të vitit të ri shkollor është programi “Pas Shkolle”, për të cilin po përmbyllen përgatitjet. Programi synon të ofrojë një përvojë më të plotë për nxënësit përtej orarit mësimor, përmes aktiviteteve sociale, artistike, sportive, artizanale dhe veprimtarive të tjera në bashkëpunim me komunitetin”.
“Po i japim dorën e fundit përgatitjes së programit “Pas Shkolle”, i cili do të shtrihet në më shumë se 400 institucione, duke ofruar jo thjesht qëndrim pas orarit të mësimit, por kohë cilësore të mbushur me aktivitete sociale, artistike, sportive, artizanat, e shumë veprimtari të tjera në bashkëpunim me komunitetin”, ishte mesazhi i ministres Kumbaro.
Kumbaro vuri gjithashtu theksin tek nisja e programit të kurrikulave të reja për klasat 1, 6, 10, shpërndarja e teksteve të reja dhe falas nga klasa I-V, respektimi i udhëzimit për ndalimin e celularëve në shkolla dhe pasurimi i platformës SMIP edhe me programin “Pas Shkolle”.
Sipas ministres Kumbaro, “Pas Shkolle” synon që koha pas mësimit të shndërrohet në kohë cilësore për fëmijët, duke u krijuar atyre më shumë mundësi për zhvillimin e aftësive, talenteve dhe interesave të tyre.
Përgatitjet për programin dhe masat e tjera organizative janë pjesë e punës për garantimin e një fillimi sa më të mirë të vitit të ri shkollor në të gjithë vendin.
Në vitin e ri shkollor do të hapin dyert 42 objekte arsimore dhe terrene sportive të reja të pajisura me kushte bashkëkohore të mësimdhënies. Ndërkohë, prej 24 gushtit ka nisur faza e dytë e regjistrimeve për klasën e parë dhe të dhjetë e cila ka afat deri më 7 shtator.
Viti i ri shkollor 2026-2027 nis më datë 14 shtator.
Burimi ATSH


















