
Nufi: Vijon angazhimi i Forcave të Armatosura në përballimin e zjarreve në Dajt, Bulqizë dhe Lurë
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi ndau sot pamje nga operacionet e Forcave të Armatosura për përballimin e vatrave të zjarrit në disa zona të vendit.

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi ndau sot pamje nga operacionet e Forcave të Armatosura për përballimin e vatrave të zjarrit në disa zona të vendit.
Nufi bëri të ditur se ndërhyrja nga toka dhe ajri vijon në Dajt, Bulqizë dhe Lurë, me angazhim të efektivëve, mjeteve dhe kapaciteteve ajrore.
Në Dajt, janë angazhuar 50 efektivë të Regjimentit të Operacioneve Speciale dhe dy helikopterë. Sipas ministrit, vatrat janë nën kontroll dhe nuk paraqitet rrezik për zonat e banuara.
Në Bulqizë, në operacion marrin pjesë 20 efektivë të Forcave të Armatosura dhe tre mjete. Edhe në këtë zonë nuk raportohet rrezik për banesat.
Ndërkohë, Lura mbetet një nga zonat me angazhimin më të madh operacional. Në terren janë 50 efektivë, gjashtë mjete, një automjet zjarrfikës dhe dy avionë “Air Tractor”.
Për të frenuar përhapjen e flakëve, në Lurë janë hapur korridore me fadroma, duke bërë të mundur ndalimin e avancimit të zjarrit në drejtim të banesave.
“Lura mbetet një nga vatrat me angazhimin më të madh. Janë hapur korridore me fadroma, duke ndaluar avancimin e zjarrit drejt banesave. Nuk ka rrezik për zonat e banuara”, thekson Nufi.
Forcat e Armatosura vijojnë operacionet në koordinim me strukturat e Mbrojtjes Civile, me prioritet mbrojtjen e qytetarëve dhe zonave të banuara.
Burimi ATSH


















