
Zjarri në Lurë, Nufi: Rreth 220 forca në terren, ndërhyrje nga toka dhe ajri
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi njoftoi sot se vijon me intensitet të lartë operacioni për menaxhimin e vatrës së zjarrit në Parkun Kombëtar të Lurës, në zonën e Runjës, mbi fshatin Borie Lurë.

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi njoftoi sot se vijon me intensitet të lartë operacioni për menaxhimin e vatrës së zjarrit në Parkun Kombëtar të Lurës, në zonën e Runjës, mbi fshatin Borie Lurë.
Në një reagim në rrjetet sociale, Nufi tha se të gjitha strukturat janë të angazhuara dhe po punojnë në koordinim të plotë, nga toka dhe ajri, me prioritet mbrojtjen e banesave dhe kufizimin e përhapjes së zjarrit.
“Vijon me intensitet të lartë operacioni për menaxhimin e vatrës së zjarrit në Parkun Kombëtar të Lurës, në zonën Runjë, mbi fshatin Borie Lurë”, bëri të ditur ministri, duke ndarë pamje nga operacioni.
Sipas tij, në operacion janë angazhuar rreth 220 forca dhe efektivë, mes tyre strukturat e MZSH-së, Forcat e Armatosura, Policia e Shtetit, ADZM, shërbimi pyjor, strukturat bashkiake, vullnetarë, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe Prefektura e Qarkut Dibër.
Ndërhyrja po zhvillohet si nga toka, ashtu edhe nga ajri. Për përballimin e vatrave më problematike janë angazhuar dy avionë “Air Tractor”, të cilët po operojnë nga ajri në mbështetje të forcave në terren.
Ministri Nufi theksoi se angazhimi maksimal vijon deri në vënien plotësisht nën kontroll dhe neutralizimin e vatrës.
Burimi ATSH


















