
“Dyfisho sipërmarrjen tënde”, Rama: Ekspertizë nga UNDP për të asistuar bizneset
Kryeministri Edi Rama prezantoi sot programin kombëtar “Dyfisho sipërmarrjen tënde”, ndërsa e vlerësoi si një mundësi për të zhvilluar më tej sipërmarrjen e vogël dhe të mesme në vend.

Kryeministri Edi Rama prezantoi sot programin kombëtar “Dyfisho sipërmarrjen tënde”, ndërsa e vlerësoi si një mundësi për të zhvilluar më tej sipërmarrjen e vogël dhe të mesme në vend.
Në eventin e organizuar mbi programin kombëtar kombëtar “Dyfisho sipërmarrjen tënde”, Rama theksoi veçanërisht bashkëpunimin me Bankën e Shqipërisë dhe bankat e nivelit të dytë për suksesin e këtij programi.
“Bankat janë futur në një zonë komforti të jashtëzakonshëm. Ndërkohë që të gjithë të tjerët luftojnë për të fituar, bankat fitojnë pa luftuar dhe jo vetëm kaq, po fitojnë goxha”, u shpreh Rama.
Sipas tij bankat nuk dalin me humbje nga ky program , por nga ana tjetër nuk dalin me ndonjë fitim si në rastet e tjera, por me një fitim modest.
Nga ana tjetër, Rama theksoi se fitimi në periudhën afatmesme dhe afatgjatë edhe për bankat do jetë i konsiderueshëm.
Rama vlerësoi po ashtu edhe ekspertizën e Zyrës së Kombeve të Bashkuara në Tiranë, UNDP-së përmes të cilës do të angazhohen ekspertë ndërkombëtarë dhe do të krijohet një grup i gatshëm për të asistuar bizneset të cilat kanë ide interesante dhe një plan të besueshëm, por nuk kanë kapacitetin për ta përkthyer në një projekt bindës për bankat.
“Ky grup i gatshëm do të jetë në dispozicion të të gjitha bizneseve, ndërkohë që patjetër Ministria e Ekonomisë do të luajë rolin e vet për të garantuar ndërlidhjen midis subjekteve të biznesit edhe grupit të ekspertëve”, shtoi Rama.
Kryeministri informoi se është vënë në dispozicion edhe një faqe online në të cilën mund të merret informacion lidhur me elementë të programit.
Ky, sipas Ramës do të jetë një mekanizëm komunikimi dhe ndërveprimi i shpejtë, por edhe një urë që do të lehtësojë shikimin e gjithë pasqyrës së lëvizjes së këtij programi.
Kryeministri informoi po ashtu se është planifikuar edhe një cikël takimesh në territor për të kontaktuar bizneset e interesuara dhe njëkohësisht edhe për të nxitur biznese të caktuara që të përfshihen në këtë program.
Burimi ATSH


















