
Rama: Informim i problematikave në territor përmes inteligjencës artificiale, do shtrihet në të gjithë vendin
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se me projektin “Smart City” shënohet një fazë e re historike në përpjekjet e shtetit për të ngritur në një nivel tjetër menaxhimin e sigurisë publike, përmes mbështetjes së inteligjencës artificiale.

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se me projektin “Smart City” shënohet një fazë e re historike në përpjekjet e shtetit për të ngritur në një nivel tjetër menaxhimin e sigurisë publike, përmes mbështetjes së inteligjencës artificiale.
I pranishëm në Qendrën e Komandës dhe Kontrollit të projektit “Smart City”, Rama theksoi se pavarësisht vështirësive, sot jemi në një moment kur projekti merr jetë dhe nuk do të ndalet deri në shtrirjen e tij të plotë në të gjithë territorin.
“Me këtë projekt garantojmë që shumëçka që ne e kemi ndjekur deri më sot si problem thjesht dhe vetëm me sytë dhe me forcat njerëzore, të ndiqet edhe me mbështetjen e inteligjencës artificiale, jo vetëm në shkolla, por në të gjitha rrugët e vendit, por dhe në komunitete”, shtoi ai.
I gjithë projekti, sipas kryeministrit, është i ndërtuar në mënyrë që sistemi të informojë në kohë reale për rrezikun.
“Nëse një thikë del nga xhepi në cilindo vend publik, jo vetëm në shkolla, por dhe në rrugë, sistemi jep menjëherë informacion në qendrën e monitorimit. Mund të jetë krejtësisht, e parrezikshme, por mund të jetë dhe e rrezikshme. Nëse një person në kërkim sot është një person që ka shumë mundësi të fshihet gjatë procesit të kërkimit, sistemi e bën pothuajse të pamundur që në momentin e reagimit, Policia të mos dijë se nga të drejtohet”, tha Rama.
Po ashtu, Rama theksoi se historia e makinave që kryejnë akte kriminale dhe pastaj gjenden të djegura në një pozicion disa kilometra nga vendngjarja, nuk mund të ndodhi më, për shkak se sistemi e sheh makinën përpara se sa makina të ndalet dhe informon se ku gjendet makina.
“Po kështu historia e dhimbshme e ndalimit të automjeteve në rrugë për kontrolle që pastaj shoqërohen edhe me shkëmbime indulgjencash mes policit dhe drejtuesit të automjetit, nuk ndodh më, për shkak se sistemi informon menjëherë qendrën kur një makinë që nuk ka paguar detyrimet del nga parkimi dhe futet në rrugë”, shtoi ai.
Kryeministri informoi se i gjithë ky proces do të kombinohet edhe me një element tjetër, kamerat e trupit.
“Për këtë po punohet dhe kamerat e trupit do të jenë të lidhura me qendrën dhe do të jetë krejtësisht e pamundur që me kamerat e trupit të bëhen lodra. Kjo do të bëjë që edhe problemi tjetër i raportit etik mes punonjësit të policisë dhe një qytetari në automjet apo në rrugë të adresohet në mënyrë sistemike. Jo se nuk do të ndodhi më asgjë, se kjo gjë nuk është realizuar askund që të mos ndodhi më asgjë, por niveli i parandalimit do të rritet në mënyrë eksponenciale, niveli i rreziqeve do të ulet në mënyrë eksponenciale dhe zbulueshmëria e shkeljeve do të rritet po ashtu në mënyrë eksponenciale”, siguroi Rama.
Gjithashtu, Kryeministri shprehu besimin që “në 12 muajt e ardhshme e gjithë Shqipëria të jetë live, në sensin e monitorimit të territorit, në funksion të një menaxhimi super inteligjent të sigurisë publike, të rendit dhe të qetësisë publike dhe për t’i dhënë qytetarëve një armë të jashtëzakonshme që deri sot nuk e kanë pasur, pasi do të punojmë edhe për të ndërthur atë që dikur ishte Komisariati Dixhital, me sistemin”.
“Do punojmë që qytetarët të kenë një inboks të tyre në sistem dhe sistemi të bëjë verifikimin në kohë reale të shqetësimeve të tyre; për një parkim të paligjshëm, për një ndërhyrje të paligjshme e të tjerë, e të tjerë. Sigurisht, në akset kryesore, në zonat strategjike komunitare dhe kudo ku interesi publik do të jetë aq i lartë sa ne të vendosim sistemin në shërbim të tij”, deklaroi Rama.
/Marrë nga ATSH


















