
Rama: Autobusë elektrikë në të gjitha bashkitë, parkime nën e mbitokësore
Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria duhet të kalojë në një nivel të ri zhvillimi turistik, duke theksuar se ruajtja e standardeve aktuale nuk mjafton për ta bërë vendin më konkurrues si destinacion.

Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria duhet të kalojë në një nivel të ri zhvillimi turistik, duke theksuar se ruajtja e standardeve aktuale nuk mjafton për ta bërë vendin më konkurrues si destinacion.
Gjatë fjalës së tij në eventin “Rilindja 2.0 me energji të re, ide të reja dhe një ambicie edhe më të madhe për Shqipërinë 2030”, Rama tha se vendi duhet të investojë në transport modern, infrastrukturë urbane dhe mbështetje për bizneset, për t’iu përgjigjur rritjes së turizmit..
“Filloi paraqitja e programit me Muzetë e Identiteteve Lokale, duket sikur, mund të duket, se mbase s’duket, mund të duket sikur: Ore çfarë thonë këta? Në fakt është e papranueshme që ne të synojmë të ngjitemi më lart si një vend turistik dhe të besojmë që ne mund të ngjitemi më lart thjesht dhe vetëm duke mirëmbajtur atë që kemi dhe duke pranuar këtë kategori ku jemi.
“Kategoria ku jemi ne sot është një kategori që duhet me patjetër ta lëmë mbrapa, sepse përndryshe do të na vëri poshtë si vend turistik, turizmi masiv. Ndërkohë diversifikimi i portofolit të ofertës tonë është domosdoshmëri për të diversifikuar gjithë përmbajtjen e asaj mase turistësh që janë 12 milion që hyjnë e që dalin, por flas për ata qëndrojnë dhe konsumojnë këtu kohë edhe konsumojnë ofertën tonë. Prandaj të gjitha këto që u thanë duhen marrë me seriozitet dhe duhen bërë. Muzetë e Identiteteve Lokale janë një element”, tha Rama.
Sipas kryeministrit, qeveria do të krijojë një kompani të përbashkët mes Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe bashkive për të furnizuar fillimisht qytetet me fluksin më të madh të turistëve me autobusë elektrikë të gjeneratës së re.
Rama njoftoi gjithashtu se një tjetër prioritet do të jetë zgjerimi i kapaciteteve të parkimit në qytete, përmes ndërtimit të parkimeve nëntokësore dhe mbitokësore.
“Transporti modern është një element tjetër i domosdoshëm dhe për këtë arsye ne kemi filluar dhe do të hyjmë tani në një fazë të krijimit të një kompanie të përbashkët mes Fondit Shqiptar Zhvillimit dhe Bashkive për të furnizuar bashkitë duke filluar me bashkitë që kanë fluksin më të madh të turistëve me autobus të një gjenerate të re, autobus elektrik, të cilët do duhet të plotësojnë shumë nevoja të rritura, sidomos gjatë sezonit dhe pastaj hap pas hapi të krijojmë lidhjen rajonale, të krijojmë intermodalitetin.
“Një tjetër komponent i programit janë parkimet. Nuk mundet më që ne të mos hyjmë në një fazë komplet të re të ndërtimit të parkimeve në qytete. Nëntokësore, mbitokësore, me të gjitha ato formula që u paraqitën këtu dhe programin e kanë plotësisht funksional, besojmë ne”, tha Rama.
/Burimi ATSH



















