Hita: Mbi 10 mijë llogari në rrjetet sociale review negative, për të dëmtuar reputacionin e bizneseve të turizmit

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skender Hita doli sot para gazetarëve në një konferencë për shtyp, në kuadër të angazhimit për komunikim të hapur, transparent dhe të përgjegjshëm me qytetarët dhe opinionin publik.


Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skender Hita doli sot para gazetarëve në një konferencë për shtyp, në kuadër të angazhimit për komunikim të hapur, transparent dhe të përgjegjshëm me qytetarët dhe opinionin publik.

Hita bëri publik një shqetësim sipas tij që lidhet me një veprimtari të dyshuar të koordinuar në hapësirën kibernetike.

“Kjo veprimtari, nëse konfirmohet nga hetimet, rrezikon të dëmtojë jo vetëm biznese të caktuara, por dhe sektorin e turizmit dhe imazhin e Shqipërisë si një vend i sigurt dhe mikpritës. Gjatë ditëve të fundit, strukturat tona të luftës kundër krimeve kibernetike kanë evidentuar një aktivitet të dyshuar të koordinuar në platformat online, i cili konsiston në publikimin masiv të vlerësimeve (reviews) dhe komenteve negative ndaj hoteleve, restoranteve dhe subjekteve të tjera që ushtrojnë aktivitet në sektorin e turizmit në Shqipëri”, tha Hita.

“Nga veprimet e para verifikuese, administrimi i kallëzimeve dhe analiza e të dhënave të siguruara deri në këtë fazë, rezultojnë indicie për ekzistencën e një rrjeti llogarish që kanë vepruar në mënyrë të sinkronizuar në platformat ndërkombëtare të vlerësimit të hoteleve, restoranteve, resorteve dhe destinacioneve turistike”, vijoi ai.

Brenda një periudhe të shkurtër kohore, sipas Hitës, këto llogari dyshohet se kanë publikuar në masë, komente dhe vlerësime negative, me qëllim krijimin e një perceptimi të rremë dhe dëmtimin artificial të reputacionit online të bizneseve shqiptare.

Sipas tij, nga analiza fillestare rezultojnë mbi 10 000 llogari në rrjetet sociale me modele aktiviteti të dyshimtë, të cilat janë aktualisht objekt verifikimi nga strukturat e specializuara të Policisë së Shtetit.

“Konkretisht një pjesë e konsiderueshme e llogarive dyshohet se janë krijuar rishtazi dhe janë përdorur në funksion të kësaj veprimtarie, por ka dhe llogari me profile të sakta, të cilat janë identifikuar nga ana jonë dhe po vijojnë veprimet hetimore”, pohoi Hita, ndërsa theksoi se janë evidentuar raste ku e njëjta llogari ka publikuar, brenda një kohe shumë të shkurtër, vlerësime negative për biznese në qytete të ndryshme, përfshirë Tiranën, Durrësin, Vlorën, Sarandën, Elbasanin, Shkodrën dhe Korçën.

“Sinkronizimi kohor, ngjashmëria e përmbajtjes dhe mënyra e shpërndarjes së aktivitetit përbëjnë tregues kyç që po analizohen nga grupi hetimor për të përcaktuar nëse kemi të bëjmë me një veprimtari të organizuar. Një aktivitet i tillë, nëse provohet se është i qëllimshëm, nuk cenon vetëm interesat e bizneseve të prekura, por prek dhe konkurrencën e ndershme, besimin e konsumatorëve dhe perceptimin e Shqipërisë si destinacion turistik”, tha ai.

Hita shtoi se “turizmi është një sektor strategjik i ekonomisë kombëtare dhe një aset i rëndësishëm i imazhit ndërkombëtar të vendit tonë”.

“Çdo përpjekje e organizuar për të manipuluar perceptimin publik, për të dëmtuar bizneset shqiptare apo për të cenuar interesin ekonomik të vendit, do të trajtohet me prioritet maksimal nga Policia e Shtetit. Në këtë kuadër, kam urdhëruar strukturat e specializuara, veçanërisht ato të Hetimit të Krimit Kibernetik, që të vijojnë me intensitet të lartë veprimet procedurale për identifikimin e autorëve dhe personave që qëndrojnë pas kësaj veprimtarie, gjurmimin e infrastrukturës teknike të përdorur, analizimin e lidhjeve ndërmjet llogarive, evidentimin e mënyrës së organizimit, sigurimin dhe administrimin e provave dixhitale, si dhe bashkëpunimin me platformat online dhe partnerët ndërkombëtarë në përputhje me legjislacionin në fuqi”, tha Hita.

Hita shtoi se materialet procedurale do t’i referohen organit të Prokurorisë, pasi nga të dhënat e administruara ekzistojnë dyshime për elemente të veprave penale në fushën e krimeve kompjuterike, si dhe dëmtimit të interesave ekonomike dhe reputacionit.

“Dua ta bëj të qartë se çdo person që do të rezultojë i përfshirë në këtë aktivitet të kundërligjshëm, pavarësisht vendndodhjes së tij, do të përballet me forcën e ligjit”, cilësoi Hita, ndërsa shtoi se në emër të Policisë së Shtetit, iu bën thirrje administratorëve të hoteleve, restoranteve dhe subjekteve të tjera turistike që kanë konstatuar raste të ngjashme, të paraqesin kallëzim pranë strukturave të Hetimit të Krimit Kibernetik dhe të ruajnë çdo provë elektronike që mund t’i shërbejë hetimit.

“Dëshiroj të theksoj se, krahas këtij hetimi specifik, Policia e Shtetit vijon me intensitet të plotë zbatimin e Planit të Masave për garantimin e një sezoni turistik të sigurt në të gjithë vendin. Strukturat tona janë në terren, çdo ditë, për parandalimin dhe goditjen e kriminalitetit në të gjitha format e tij, parandalimin dhe zgjidhjen e konflikteve, luftën kundër trafiqeve të paligjshme, identifikimin dhe arrestimin e autorëve të zjarrvënieve, parandalimin e kultivimit të kanabisit dhe shpërndarjes së drogave të forta, kapjen e personave në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar, goditjen e krimeve mjedisore dhe ekonomike, si dhe të lojërave të fatit, armëmbajtjes pa leje dhe krimeve ndërkufitare”, vijoi ai.

Hita tha se “një prioritet i rëndësishëm është rritja e sigurisë rrugore, përmes monitorimeve të shtuara në akset kryesore dhe zonat turistike, duke përdorur mjete inteligjente dhe dronë, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe garantimin e një qarkullimi sa më të sigurt dhe të rrjedhshëm, pavarësisht fluksit gjithnjë në rritje të automjeteve”.

Po ashtu, Policia Kufitare, Njësia Policore Detare dhe Policia Alpine pohoi Hita janë në gatishmëri të plotë për t’iu shkuar në ndihmë qytetarëve dhe turistëve, duke ofruar asistencë, orientim dhe ndërhyrje të menjëhershme në çdo rast nevoje qoftë në zonat e thella malore ashtu dhe në hapësirën detare.

“Çdo strukturë e Policisë së Shtetit është në shërbim të qytetarëve dhe vizitorëve 24 orë në 24, me një objektiv të vetëm, që çdo qytetar dhe çdo turist të ndihet i sigurt në çdo cep të territorit të Republikës së Shqipërisë. Shqipëria është një vend i sigurt dhe mikpritës. Ne do të vijojmë të përmbushim me vendosmëri detyrën tonë kushtetuese për mbrojtjen e jetës, pronës, rendit publik dhe interesit të vendit, në bashkëpunim të ngushtë me qytetarët, bizneset, institucionet dhe partnerët tanë ndërkombëtarë”, përfundoi Hita.

/Marrë nga ATSH

Lexo më shumë nga

Rama pritet nga Erdogan në Pallatin Presidencial në Ankara

Kryeministri Edi Rama u prit sot në Pallatin Presidencial, Cumhurbaşkanlığı Külliyesi në Ankara nga presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan.

Global 360

I nxehti ekstrem përfshin SHBA-në, mbi 60 milionë njerëz në alarm

Sipas Shërbimit Kombëtar të Motit, temperaturat në shumë zona pritet të kalojnë 38 gradë Celsius, ndërsa lagështia e lartë do…

Diplovista

Rama për ”Corriere della sera”: Histeria digjitale prodhon një imazh të rremë për Shqipërinë

Histeria digjitale prodhon një imazh të rremë për Shqipërinë, deklaroi kryeministri Rama për prestigjiozen italiane ”Corriere della sera”.

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Dita Botërore e Refugjatëve dhe 75-vjetori i Konventës së Gjenevës: Premtimi i njerëzimit që nuk duhet harruar

20 Qershor 2026 - Dita Botërore e Refugjatëve. 28 Korrik 2026 - 75-vjetori i Konventës së vitit 1951 mbi Statusin…

Profil

MILANO 2026 – BBC: Lara Colturi, skiatorja që po bën Shqipërinë krenare

Lara Colturi është vetëm 19 vjeçe, por ajo mund të bëjë historinë olimpike duke u bërë medalistja e parë e…

Masmedia

Rama pritet nga Erdogan në Pallatin Presidencial në Ankara

Kryeministri Edi Rama u prit sot në Pallatin Presidencial, Cumhurbaşkanlığı Külliyesi në Ankara nga presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan.