
Lamallari fton të rinjtë të aplikojnë në Akademinë e Sigurisë: Policia e Shtetit ka nevojë për brezin e ri
Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari u bëri sot thirrje të rinjve të aplikojnë për programin e studimit “Siguria dhe Hetimi” në Akademinë e Sigurisë, duke e cilësuar shërbimin në Policinë e Shtetit si një mision në shërbim të qytetarëve dhe shtetit.

Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari u bëri sot thirrje të rinjve të aplikojnë për programin e studimit “Siguria dhe Hetimi” në Akademinë e Sigurisë, duke e cilësuar shërbimin në Policinë e Shtetit si një mision në shërbim të qytetarëve dhe shtetit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Lamallari theksoi se zgjedhja e profesionit të policit është mbi të gjitha zgjedhje e vlerave dhe e përgjegjësisë.
“Ka momente në jetë kur nuk zgjedh thjesht një profesion, por një mision. E tillë është edhe karriera në Policinë e Shtetit. Nëse beson se ndershmëria, guximi dhe përgjegjësia nuk janë vetëm fjalë, por vlera për të cilat ia vlen të jetosh e të shërbesh, atëherë vendi yt mund të jetë në Akademinë e Sigurisë”, u shpreh ministri.
Lamallari ftoi të rinjtë të aplikojnë për programin “Siguria dhe Hetimi”, duke theksuar se Policia e Shtetit ka nevojë për një brez të ri profesionistësh.
“Ju ftoj të aplikoni për programin ‘Siguria dhe Hetimi’ dhe të nisni një rrugëtim sfidues si shërbëtorë publikë të ligjit në Shqipërinë e sotme dhe Shqipërinë e së nesërmes së afërt në Bashkimin Evropian. Policia e Shtetit ka nevojë për një brez të ri vajzash dhe djemsh që duan të bëjnë diferencën, të mbrojnë qytetarët dhe të mbajnë me krenari uniformën e shtetit. Shqipëria ka nevojë për më të mirët”, tha ai.
Ministri kujtoi se është hapur faza e aplikimeve për ndjekjen e programit të studimit “Siguria dhe Hetimi”, cikli i parë “Bachelor”, në Akademinë e Sigurisë, për vitin akademik 2026-2027.
Sipas njoftimit, janë shpallur 60 kuota për kandidatë që kanë përfunduar arsimin e mesëm të lartë, ndërsa aplikimet do të kryhen në portalin “U-Albania” gjatë periudhës 27 korrik – 1 gusht 2026.
Procesi i përzgjedhjes përfshin vlerësimin administrativ, testimin fizik, intervistën me gojë, testin psikologjik, kontrollin mjekësor dhe verifikimin e besueshmërisë. Testimet do të zhvillohen nga 5 deri më 19 gusht 2026, ndërsa lista paraprake e rezultateve do të publikohet më 22 gusht. Pas fazës së ankimit, lista përfundimtare e fituesve do të shpallet më 26 gusht, ndërsa regjistrimi i tyre do të vijojë deri më 8 shtator 2026.
Sipas kritereve të konkurrimit, nota mesatare e arsimit të mesëm do të përbëjë 50% të vlerësimit përfundimtar, testimi fizik 30% dhe intervista me gojë 20%, ndërsa testi psikologjik dhe kontrolli shëndetësor do të kenë vlerësim “kalues” ose “jokalues”.
Kandidatët e shpallur fitues do të nënshkruajnë kontratë me Akademinë e Sigurisë dhe do të angazhohen të shërbejnë në strukturat e Policisë së Shtetit për të paktën tre vjet pas përfundimit të studimeve.
/Burimi ATSH



















