Spiropali në Bruksel: Shqipëria po ecën më shpejt dhe më vendosmërisht drejt BE-së

Kryetarja e Kuvendit, e ftuar nderi në konferencën e tretë vjetore të Këshillit Global për Rinovimin e Politikës.


Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali ndodhet sot në Bruksel, e ftuar nderi në konferencën e tretë vjetore të Këshillit Global për Rinovimin e Politikës.

Në këtë konferencë, Spiropali mbajti një fjalë “Mbi sinergjinë midis politikës, moralit, drejtësisë dhe paqes”.

Në fjalën e saj, Spiropali nënvizoi se, “Shqipëria është vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kemi hapur negociatat për dy grup-kapituj, grup-kapitulli 1 dhe 6, dhe sapo kemi marrë ftesën nga Presidenca Polake e Bashkimit Evropian për çeljen e negociatave për kapitullin e dytë dhe të tretë, dhe presim të marrim shumë shpejt ftesën për grup-kapitullin e katërt”.

“Shqipëria është vendi kandidat që po ecën më shpejt dhe me më shumë vendosmëri drejt familjes europiane, duke mos pasur asnjë plan B për të ardhmen tonë, përveç perspektivës së anëtarësimit në këtë familje, me të cilën na lidhin rrënjët, identiteti, vlerat, vizioni dhe aspiratat popullore”, tha Spiropali.

“Përpjekjet për ndërtimin e një sistemi që ka në qendër parimet e demokracisë liberale po shkojnë paralel me kontributin tonë për lirinë, sigurinë dhe paqen. Ndër kontributet më të spikatura të Shqipërisë për sinergjinë mes moralit, politikës, të drejtës dhe paqes është investimi ynë për mbrojtjen e paqes dhe të sigurisë kudo në botë, por duke filluar më së pari nga Ballkani Perëndimor”, theksoi ajo.

Spiropali nënvizoi se, Shqipëria ka marrë aktualisht rolin e lidershipit në zhvillimet dhe integrimet rajonale si edhe rrugëtimin europian të vendeve të rajonit.

“Kontributi ynë është asimetrik me madhësinë e Shqipërisë, një vend relativisht i vogël për nga territori e popullsia, por protagoniste e spikatur për sigurinë dhe paqen. Si një vend anëtar i NATO-s prej vitit 2009, Shqipëria është një anëtare aktive dhe luajale e organizatës, nëpërmjet politikave të saj paqësore, por edhe nëpërmjet kontributit të vajzave e djemve të Shqipërisë në misionet paqeruajtëse në vende të ndryshme”, tha ajo.

“Shqipëria i ka shërbyer paqes me lidershipin e saj vizionar e të vendosur nëpërmjet Presidencës Shqiptare të OSBE-së gjatë vitit 2020. Të njëjtën gjë mund të them edhe për kontributin e Shqipërisë si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara gjatë viteve 2022-2023, sidomos për faktin që bashkë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ishte bashkëpenëmbajtëse për mbështetjen ndaj Ukrainës”, u shpreh Kryeparlamentarja.

Spiropali theksoi se, demokracia është jo vetëm një sistem i pazëvendësueshëm, por edhe një mjet i pazëvendësueshëm për garantimin e drejtësisë, sigurisë dhe të paqes.

“Parlamentet dhe parlamentarët kanë imperativa dhe detyra jo thjesht individuale, kur bëjmë fjalë për sinergjinë midis politikës, moralit, drejtësisë dhe paqes. Ne mund t’i kontribuojmë demokracive tona jo vetëm duke denoncuar shkeljet e dukshme të standardeve apo rregullave demokratike, por duke mbrojtur dëmtimin e heshtur, të ngadaltë dhe të vijueshëm të vlerave demokratike”, tha ajo.

“Nga ky vizion duhet të orientohet edhe ndërveprimi dhe partneriteti midis parlamenteve dhe aktorëve të tjerë të shoqërisë në fuqizimin e kontrollit parlamentar. Korrelacioni funksional midis politikës, moralit, të drejtës dhe paqes po ndihmohet edhe nga një rrethanë jopolitike: Në Shqipëri, mes besimtarëve myslimanë, orthodhoksë, katolikë, bektashi, ungjillorë, por edhe besimeve të tjera e jo besimtarëve, kemi ndërtuar një bashkëjetesë vitale dhe një harmoni, e cila është një ndër thesaret më të çmuara të kombit shqiptar”, shtoi ajo.

Kryetarja e Kuvendit u shpreh se ,toleranca, bashkëjetesa, mirëkuptimi dhe harmonia fetare janë jo vetëm një pasuri e shqiptarëve që rrezaton në kulturën dhe qytetërimet botërore, por edhe një referencë e rëndësishme për jetën politike në Shqipëri.

“Gjatë tre dekadave të fundit, emigrantët shqiptarë të vendosur në vendet fqinje e mike, Greqi dhe Itali, në vende të tjera të Europës Perëndimore, Shtetet e Bashkuara, Kanada etj. kanë krijuar komunitete të diasporës së re, të cilat po kontribuojnë si burim zhvillimi për vendet pritëse, por edhe për Shqipërinë, dhe njëkohësisht si ura miqësie mes vendit të tyre dhe vendeve ku jetojnë. Mjaft prej tyre janë natyralizuar edhe si shtetas të vendeve ku jetojnë dhe kjo u jep mundësi të kontribuojnë, përveçse në zhvillimin ekonomik, edhe në sistemet politike të këtyre vendeve”, tha ajo.

Spiropali u shpreh se, “ndryshimet e fundit në legjislacionin zgjedhor, të miratuara së fundi nga Kuvendi i Shqipërisë, u krijojnë emigrantëve shqiptarë aksesin të votojnë në zgjedhjet parlamentare të majit të këtij viti nga vendet ku jetojnë. Kjo është një mundësi më shumë për pjesëmarrjen e tyre në vendimmarrjet e rëndësishme për vendin e origjinës”.

Spiropali ka ndarë edhe disa nga përpjekjet që po bëhen në Shqipëri, për të ndërtuar e konsoliduar një sinergji më funksionale midis politikës, moralit, drejtësisë dhe paqes.

Spiropali nënvizoi se, “Shqipëria është vendi në të cilin mbështetja popullore për anëtarësimin në Bashkimin Europian është masive, më e madhe se në çdo vend tjetër kandidat, dhe kjo përbën sa një frymëzim, aq edhe një detyrim për politikanët dhe parlamentarët shqiptarë”.

Këshilli Global është një organizatë ndërkombëtare, në të cilën marrin pjesë politikanë të nivelit të lartë, presidentë kryeministra dhe anëtarë qeverish, kryetarë parlamentesh dhe parlamentarë, kryetarë partish politike, diplomatë, personalitete intelektuale, akademike, kulturore dhe të shoqërisë civile nga shumë vende të botës.

Burimi ATSH

Lexo më shumë nga

Rama merr pjesë në Konferencën për Rindërtimin e Ukrainës në Poloni

Kryeministri Edi Rama, do të marrë pjesë në Konferencën për Rindërtimin e Ukrainës (Ukraine Recovery Conference – URC 2026), e…

Global 360

Macron pas takimit me Ramën: Franca riafirmon mbështetjen për integrimin evropian të Shqipërisë

Kryeministri Edi Rama u prit sot në takim në Pallatin “Elysée” nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

Diplovista

Rama në FII Europe 2026: Shqipëria po merr rol strategjik në sigurinë energjetike të Evropës

Shqipëria po merr rol strategjik në sigurinë energjetike të Evropës, deklaroi kryeministri Edi Rama në samitin ”Future Investment Initiative Europe…

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Dita Botërore e Refugjatëve dhe 75-vjetori i Konventës së Gjenevës: Premtimi i njerëzimit që nuk duhet harruar

20 Qershor 2026 - Dita Botërore e Refugjatëve. 28 Korrik 2026 - 75-vjetori i Konventës së vitit 1951 mbi Statusin…

Profil

MILANO 2026 – BBC: Lara Colturi, skiatorja që po bën Shqipërinë krenare

Lara Colturi është vetëm 19 vjeçe, por ajo mund të bëjë historinë olimpike duke u bërë medalistja e parë e…

Masmedia

Rama merr pjesë në Konferencën për Rindërtimin e Ukrainës në Poloni

Kryeministri Edi Rama, do të marrë pjesë në Konferencën për Rindërtimin e Ukrainës (Ukraine Recovery Conference – URC 2026), e…