Tek unë zgjohen dy vende!

“Në mëngjes, teksa zgjohem, njëri më thotë “mirëmëngjesi!” e tjetri “bonjour!”…


Nga Enkelejda Masseboeuf Kondi

Tek unë zgjohen dy vende

Aty dhe këtu,
dy zemra,
dy identitete,
dy unë.

Në mëngjes, teksa zgjohem,
njëri më thotë “mirëmëngjesi!” e tjetri “bonjour!”.
Në mendje, sa zgjohem,
kam ende ëndrrat që kam parë natën.

Isha atje…
“Mirëmëngjesi!”
Luaja, ende fëmijë, rrugëve të vendlindjes
dhe isha e gëzuar, përhumbur në ëndrra
e nuk doja të zgjohesha kurrë.

Më zgjon një “bonjour!”,
kafeja, përtesa,
mendimi se këtu do t’më duhet të punoj shumë kohë,
derisa të dal në pension
e të ndihem e lirë për të shkuar atje.

“Mirëmëngjesi!”
I përshëndes njerëzit me mendje atje.
Gjysma që njihja aty, kanë vdekur,
të tjerët kanë ikur, si unë,
fëmijët janë rritur e s’i njoh.

“Bonjour!”
Këtu ngrihem herët,
Dëgjoj vetëm kërcitjet e dyerve të gjitonëve;
nisen herët në punë, si unë.

“Bonjour!”
Shkallët janë bosh,
të moshuarit pushojnë, flenë.

“Mirëmëngjesi!”
Atje agimi vjen herët
dhe nata vjen më shpejt.

“Bonjour!”
Në punë, sapo mbërrij, pi kafenë e dytë.
“Mirëmëngjesi” e “Bonjour!”
në mendje më ngatërrohen,
deri sa mbërrijnë ata pak të vegjël të shkollës ku punoj,
që flasin si unë:
– Mirëmëngjesi!
Po ndonjëherë, për inerci, përshëndetemi:
– Bonjour!
Për ta është më e lehtë, më vonë, të zgjedhin:
“mirëmëngjesi” apo “bonjour”.
Ndërsa unë nuk pata mundësi të zgjedh…

“Bonjour! Mirëmëngjesi!”

***

Te Bodleri në Montparnas

Nuk e dija se, një ditë,
do të kërkoja të gjallët tek të vdekurit.
Kërkoja mes të vdekurve gjurmët e një poeti, Bodlerit.
Prej kohësh prehej në varrezat e Montparnasit.

Krak, krak kërcasin gjethet nën këmbët e mia.
Është dimër e prag festash.
Atje tutje, qielli ulërin me zërin e ngjirur të skeleteve që prej poshtë varreve.
Krau- krau ndjellin zi korbat përreth kësaj lagjeje-varrezë.
Me hartë nuk jam orientuar asnjëherë,
ndaj dhe me intuitën time eci dhe kërkoj kuturu,
kërkoj sidomos varret e vjetra.
“Sigurisht që aty do të jetë…”
Më treguan se aty bëjnë të përjetshmin gjumë presidentë, këngëtarë, aktorë e shumë të tjerë emërmëdhenj.
Të gjithë jetojnë e përthyhen gjithsesi ndryshe në kujtimet tona, por shi këtu janë njësoj.
Krak, krak…
Paska shumë fletë dhe baltë.
Në këto varre të ndjek thjeshtësia.
Këtu nuk qan njeri.
Këtu heshtin.
Andej nga vij unë
puthim varret dhe përsëri buzët na rrinë të ngrohta si zemra.

Sot vetëm mund ta prek këtë gur me emrin tënd
e në heshtje them:
“Më jep pak nga ti.
Me jep pakëz poezi me vete…”
Krak, krak…
Me këmbët mbi gjethe, duart në xhepa, në kërkim të Bodlerit.
O rrugë e shurdhët që ulërin rreth meje,
e gjatë, elegante, në dhimbje të madhe funebër…
Vargje nga të tuat më prijnë udhën.
Krak, krak, krak…
Pas meje mbetet ftohtësia e varrit
dhe gëzimi i hidhur që të gjeta e të takova
në Montparnas.

Lexo më shumë nga

27-vjetori i çlirimit të Kosovës, Begaj: UÇK ishte mburoja e një populli që po shfarosej

Presidenti Bajram Begaj, mori pjesë sot në ceremoninë shtetërore të organizuar në Prishtinë me rastin e 27-vjetorit të çlirimit të…

Global 360

Rubio nderon trashëgiminë e Nënë Terezës

Sekretari i Shtetit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Marco Rubio, kujtoi figurën e Nënë Terezës gjatë një vizite në…

Diplovista

Rama për “Associated Press”: Ende s’ka projekt për Zvërnecin, ka shumë ‘gjysmë të vërteta’ që po bëhen gënjeshtra gjithnjë e më të mëdha

Kryeministri Edi Rama, në një intervistë për Associated Press (AP), theksoi se do të ecë përpara me projektin luksoz, i…

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Vizita që ndryshoi të ardhmen strategjike të Shqipërisë

Kujtime nga vizita historike e Presidentit George W. Bush në Tiranë

Profil

MILANO 2026 – BBC: Lara Colturi, skiatorja që po bën Shqipërinë krenare

Lara Colturi është vetëm 19 vjeçe, por ajo mund të bëjë historinë olimpike duke u bërë medalistja e parë e…

Masmedia

27-vjetori i çlirimit të Kosovës, Begaj: UÇK ishte mburoja e një populli që po shfarosej

Presidenti Bajram Begaj, mori pjesë sot në ceremoninë shtetërore të organizuar në Prishtinë me rastin e 27-vjetorit të çlirimit të…