Zhvillimi i Gjelbër i Kinës në Epokën e Re

Kina nuk mund të bëhet moderne pa u bërë e gjelbër


Nga Dr. Marsela Musabelliu

“Zhvillimi i gjelbër” është një aplikim prioritetesh politike të cilat  promovojnë bashkëjetesën harmonike midis njerëziut dhe natyrës. Bëhet fjalë për një zhvillim që arrin përfitimet maksimale sociale dhe ekonomike, me kosto minimale në burimet mjedisore dhe zhvillim të qëndrueshëm e me cilësi të lartë që mbron ambjentin. Për fat të keq, si rezultat i ndryshimeve klimatike, si rezultat i krizës së biodiversitetit dhe për shkak se ekonomia globale nuk është në përputhje me burimet natyrore të botës ku po jetojmë, do të përballemi gjithnjë e më shumë me lloje të ndryshme krizash, nëse nuk bëhen hapa drejt progresit eko-mjedisor.

 Kina dhe zhvillimi i gjelbër

E gjelbërta është tipari përcaktues i Kinës në Epokën e Re, dhe zhvillimi i gjelbër paraqet rrugën kineze drejt modernizimit. Favorizimi i rritjes ekonomike cilësore, mbrojtjes se mjedisit, një rrugë zhvillimi të bazuar në prodhimtari intensive, standarde jetese të larta dhe ekosisteme të shëndetshme, janë tejet të vështira për t’u aplikuar dhe menaxhuar së bashku. Ato kanë kosto të larta dhe kërkojnë angazhim shumë-dimensional për t’u arritur.

CFP

15 gushti shënon Ditën Kombëtare të Ekologjisë në Kinë, dhe në vend po diskutohet në shumë aspekte se si do të bëhet më e lehtë  rruga e transformimit të madh drejt neutralitetit të karbonit. Por, Kina ka kohë që po punon intensivisht për këto qëllime, deri në nivelet më të larta të politikëbërjes. Zyrtarët thonë se përdorimi i energjisë së rinovueshme është pothuajse dyfishuar gjatë pesë viteve të fundit, ndërsa termocentralet me emetim më të ulët janë duke u përdorur për të prodhuar mbi një miliard kilovat energji, e ashtuquajtura “tregti e gjelbër” është rritur gjithashtu me gati 50% gjatë dekadës së fundit.

Që nga Kongresi Kombëtar i 18-të i PPK-së në 2012, shteti i ka dhënë prioritet ruajtjes së mjedisit dhe zhvillimit të gjelbër, ka promovuar transformimin gjithëpërfshirës të zhvillimit ekonomik dhe social dhe ka arritur modernizimin e bazuar në harmoninë midis njerëzimit dhe natyrës. Jo vetëm kaq, por ky angazhim i Kinës në këtë drejtim shihet mirë edhe në fjalët kyçe të “Mendimit të Xi Jinping mbi Qytetërimin Ekologjik”: sistemi, ekuilibri dhe koordinimi. Aty sqarohen thellësisht marrëdhëniet midis njerëzimit dhe natyrës, midis zhvillimit ekonomik dhe mbrojtjes së mjedisit, dhe shpaloset teza madhore se një mjedis i shkëlqyer ekologjik është një pjesë e domosdoshme e jetesës dhe mirëqenies së njerëzve.

Në vitin 2017 Presidenti Xi, në Kongresin e 19-të të PKK-së, vendosi një theks të paprecedentë në çështjet mjedisore, duke promovuar jo vetëm zhvillimin e gjelbër dhe ndërtimin e civilizimit ekologjik, por gjithashtu duke kërkuar që Kina të bёhet pjesë integrale e botës për të mbrojtur mjedisin. Ai gjithashtu mbrojti shprehimisht rëndësinë e ruajtjes së mjedisit duke shkruar: “Njeriu dhe natyra formojnë një bashkësi të jetës …. Vetëm duke respektuar ligjet e natyrës njerëzimi mund të shmangë gabimet e kushtueshme në shfrytëzimin e saj. Çdo dëm që i shkaktojmë natyrës, përfundimisht do të kthehet të na përndjekë. Ky është një realitet me të cilin duhet të përballemi.”

Më tej, në Kongresin i 20-të Kombëtar të PKK-së, mbajtur vitin e kaluar, u shpalosën plane strategjike për zhvillimin e ardhshëm të Kinës, të cilat do të ndihmojnë në krijimin e një mjedisi më të mirë me male më të gjelbërta, ujë më të pastër dhe ajër më të pastër. Kina do të vazhdojë në rrugën e zhvillimit të gjelbër, do të vazhdojë të ndërtojë eko-qytetërim dhe do të përpiqet të realizojë zhvillim me cilësi, efikasitet, barazi, qëndrueshmëri dhe siguri. Ne do ta bëjmë “të gjelbërt-ën” një tipar përcaktues të një Kine të bukur.. u shpreh Presidenti Xi në Kongresin e 20-të.

default

CFP

Kina në veprim dhe aksionet e dekadës së fundit

Kina ka ulur intensitetin e emetimit të karbonit me 34.4% gjatë 10 viteve të fundit, është zotuar të arrijë kulmin e emetimeve të CO2 përpara vitit 2030 dhe të arrijë neutralitetin e karbonit përpara vitit 2060. Që të gjitha këto të arrihen, duhen politika rregullatore të mirëmenduara dhe sigurisht angazhim i madh financiar.

Por, cilat kanë qenë disa nga pikat kyçe të këtij rrugëtimi dhe transformimi ekologjik në Kinë?

Inovacioni në shërbim të mjedisit: Një nga politikat më të rëndësishme është zbatimi i strategjisë së zhvillimit të drejtuar nga inovacioni. Kina merr inovacionin shkencor dhe teknologjik si forcën shtytëse dhe garancinë për rregullimin e strukturës industriale. Ky inovacion ndihmon dhe tranzicionin e gjelbër dhe me karbon të ulët të ekonomisë e shoqërisë dhe i konsideron industritë në zhvillim strategjik si një shtytës kyç për zhvillimin ekonomik, duke korrur përfitime të jashtëzakonshme ekonomike dhe sociale si një rezultat.

default

CFP

Promovimi i transformimit të gjelbër: Kina ka integruar konceptin e zhvillimit të gjelbër në të gjithë ciklet e industrisë, bujqësisë dhe sektorit të shërbimeve. Këto industri tradicionale, janë ato që e bënë Kinën “fabrikën e botës” në fillim të mijëvjeçarit, dhe tashmë këto industri ekzistuese po transformohen për të reduktuar emetimet, për të rritur efikasitetin dhe për të lehtësuar transformimin gjithëpërfshirës të gjelbër.  Në dekadën e fundit Kina është e përkushtuar të krijojë një sistem prodhimi të gjelbër dhe të krijojë fabrika të gjelbra, parqe industriale të gjelbra, zinxhirë të gjelbër të furnizimit, etj.

Mbështetja dhe promovimi i industrive të gjelbra: Industria e energjisë së rinovueshme po rritet me shpejtësi dhe Kina kryeson botën në objekte të prodhimit të energjisë së pastër për energjinë e erës dhe fotovoltaike. Kapaciteti prodhues dhe furnizues i pajisjeve teknike të gjelbra është rritur ndjeshëm ndërsa kostoja vazhdon të bjerë. Format dhe modelet e reja të biznesit vazhdojnë të rriten dhe të mbështeten nga qeveria qendrore dhe ato lokale.

Zhvillimi i fuqishëm i energjisë jofosile: Ёshtë bërë përparim i shpejtë në ndërtimin e stacioneve të energjisë së erës dhe asaj fotovoltaike në shkallë të gjerë përgjatë gjithë territorit dhe është  ndërtuar një matricë e strukturuar për hidrocentralet e mëdha në pellgjet e lumenjve kryesorë. Më tej është zhvilluar energjia bërthamore në një mënyrë të sigurt dhe është rritur përkushtimi ndaj zhvillimit të nxitur nga inovacioni, është punuar në zhvillimin e energjisë së hidrogjenit.

default

CFP

Ndërtimi i një rrjeti të gjelbër të transportit: Infrastruktura gjigande e Kinës vetëm zgjerohet nga viti në vit, dhe tashmë zhvillimi infrastrukturor ka dhe një drejtim ekologjik. Sektori i transportit është ai që konsumon një sasi të madhe energjie dhe gjeneron emetime të konsiderueshme. Duke përmirësuar efikasitetin energjetik të pajisjeve të transportit, është përshpejtuar ndërtimi i një rrjeti të gjelbër të transportit, me optimizimin e strukturës së konsumit të energjisë dhe përmirësimin e efikasitetit të organizimit si prioritete të saj.

Shtrëngimi i mbikëqyrjes dhe menaxhimit: Në sektorin e zhvillimit të gjelbër është intensifikuar sistemi i vlerësimit të performancës për zhvillimin e gjelbër dhe janë marrë masa strikte për të siguruar që ndërmarrjet të përmbushin përgjegjësitë e tyre kryesore. Tashmë, rritja e PBB-së nuk është më kriteri i vetëm për vlerësimin e zhvillimit të rajoneve apo performancës së zyrtarëve. Në vend të kësaj, për zhvillimin ekonomik dhe social vendosen objektiva të detyrueshëm nga qeveria qendrore në lidhje me burimet dhe mjedisin, dhe një sistem vlerësimi më i balancuar për zhvillimin ekonomik dhe social.

Jetesa miqësore me mjedisin bëhet morali mbizotërues në shoqëri: Zhvillimi i gjelbër kërkon përpjekjet e të gjithëve. Autoritetet promovojnë në mënyrë aktive vlerat dhe idetë e ruajtjes së mjedisit, rritjen e ndërgjegjësimit publik për të ruajtur burimet dhe për të mbrojtur eko-mjedisin. Në këtë mënyrë praktikohet një stil jetese më i thjeshtë, më i gjelbër dhe me pak karbon, duke krijuar një atmosferë të favorshme sociale për progresin e përbashkët.

default

CFP

Internacionalizimi i çështjeve mjedisore dhe Kina

Mbrojtja e mjedisit dhe lufta kundër ndryshimeve klimatike janë përgjegjësi e përbashkët e të gjitha vendeve. Kina ka marrë përsipër përgjegjësitë e saj, ka marrë pjesë aktive në qeverisjen globale mjedisore dhe është zotuar të arrijë  shumë, në pak kohë. Por le të marrim vetëm një nga disa inciativat e Kinës në rang global për të parë prioritetin e shtetit, nisma “Një brez, një rrugë”.

Sipas një studimi të ri  të botuar këtë muaj, angazhimi i Kinës për energjinë jashtë shtetit në vendet e “Një brez, një rrugë” në gjysmën e parë të 2023 ishte “më i gjelbri” për sa i përket llojit të projektit që nga fillimi i tij në 2013. Sipas hulumtimit të kryer nga Qendra e Financave dhe Zhvillimit të Gjelbër (GFDC) në Universitetin Fudan në Shangai, Kina investoi 8.61 miliardë dollarë në projekte energjitike në vendet e “Një brez, një rrugë” gjatë gjysmës së parë të këtij viti.

Gjetjet e këtij studimi pasqyrojnë një hap të jashtëzakonshëm në kërkimin shumëvjeçar dhe përpjekjet pragmatike të Kinës për të siguruar qëndrueshmëri mjedisore në projektet e “Një brez, një rrugë” jashtë shtetit dhe një zhvendosje nga angazhimi fillestar dhe modeli i investimeve, veçanërisht investimet e saj në infrastrukturat energjitike. Për shembull, midis 2014 dhe 2017, mbi 95% e këtyre investimeve ndërkufitare në sektorin e energjisë nga ndërmarrjet shtetërore kineze ishin në lëndë djegëse fosile, por tashmë kemi një tjetër realitet, Kina është e përkushtuar të punojë me vendet e tjera për promovimin e zhvillimit të gjelbër nën “Një brez, një rrugë”.  Me qëllim të krijimit të një mekanizmi bashkëpunimi për zhvillimin e gjelbër dhe me karbon të ulët nën “Një brez, një rrugë”, Kina ka nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi me Programin e Mjedisit të OKB-së, ka arritur më shumë se 50 marrëveshje bashkëpunimi për ruajtjen e eko-mjedisit me vendet përkatëse dhe organizatat ndërkombëtare. Dhe më tej,  janë ndihmuar pjesëmarrësit e tjerë në BRI për të ndërtuar kapacitetin e tyre të qeverisjes mjedisore dhe është punuar me këto vende në trajnimin e personelit për zhvillimin e gjelbër (duke trajnuar 3,000 njerëz nga më shumë se 120 vende me programe specifike).

CFP

Së fundmi, duhet pasur parasysh se përgjegjësia dhe “fatura historike” për situatën ku ndodhemi është e vendeve të zhvilluara që për mëse dy shekuj kanë akumuluar një ndotje mjedisore që sot po e shlyen mbarë bota. Ndërkohë Kina po merr një qasje shumë praktike dhe gjithashtu historike kundrejt zhvillimit të gjelbër, në kohë, në formë dhe në trajtë. Në këtë çështje terreni i lojës është shtëpia jonë e përbashkët, planti ynë, dhe ky udhëtim nuk është kombëtar por është mbarëbotëror.

Kina nuk mund të bëhet moderne pa u bërë e gjelbër – shprehet një profesor kinez – pra, zhvillimi dhe mjedisi janë në një bashkëudhëtim në këtë Epokë të Re të Kinës.

Burimi: CRI.CN

Lexo më shumë nga

Veliaj me kreun e Komitetit të Miqësisë shqiptaro-japoneze: Bashkëpunim në biznes e turizëm

Më herët, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj u prit dhe nga kryetarja e Bashkisë së Tokios, Yuriko Koike.

Global 360

Meloni: Marrëveshja me Shqipërinë për migrantët frymëzim edhe për vendet e tjera

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni interviste me gazetarin Maurizio Belpietro, në kuadër të eventit ”Il giorno della verita”

Diplovista

Moisiu: Greqia të ndryshojë sjelljen ndaj Shqipërisë!

Ish-presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu, intervistë për Euronews Albania

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Shkolla e shkrimtarit

Shkrimtari nuk bëhet nga shkolla, shkrimtari lind.

Profil

Ibrahim Kodra, “poskubisti” i fundit në Europë

Kur ishte fëmijë, portreti që i bëri komandantit të xhandarmërisë së qytetit rezultoi fatsjellës për të.

Masmedia

Veliaj me kreun e Komitetit të Miqësisë shqiptaro-japoneze: Bashkëpunim në biznes e turizëm

Më herët, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj u prit dhe nga kryetarja e Bashkisë së Tokios, Yuriko Koike.