Hapësira kibernetike nuk duhet të jetë fushëbeteja e së ardhmes

Kina ngelet e gatshme për të thelluar bashkëpunimin për ndërtimin e një “komuniteti me një të ardhme të përbashkët në hapësirën kibernetike”.


Nga Dr. Marsela Musabelliu

Aktualisht në rang ndërkombëtar, nuk ka ligje të vlefshme që rregullojnë se si operon hapësira kibernetike, si veprojnë aktorët kibernetikë dhe duket sikur luhet në një botë anonime pa kufij e pa ligje. Edhe nëse arrihet gjetja e burimit të një hakerimi ose akt spiunazhi, është shumë e vështirë jo vetëm për identifikimin dhe kapjen e tyre, por pastaj edhe për ti ndjekur penalisht. Derisa e drejta ndërkombëtare të arrijë shpejtësinë e hapësirës kibernetike do të duhet shumë mund e kohë.

Për vite me radhë, që në momentet e para të përdorimit masiv të internetit, vendet e zhvilluara në aspektin teknologjik kanë ruajtur me fanaticizëm arritjet e tyre në këtë fushë, siç është e drejtë që të jetë, pasi pronësia intelektuale është shumë e vyer. Por, sa herë që kishte ndonjë rrjedhje informacionesh, ndërhyrje në rrjet, dhe autorë të paidentifikuar, u duhej dhënë një emër dyshimeve, dhe shënjestra e preferuar u bë Kina.

Dhe për vite të tëra reagime nga Kina nuk ka pasur, duke vazhduar në linjën e gjakftohtësisë dhe nevojën për baza argumentuese. Në Kinë për një kohë të gjatë, afro dy dekada, nuk pati as kundërpërgjigje, as kundërakuza. Por fakti që në Kinë nuk reaguan s’do të thotë që nuk kishin ç’të flisnin, ishte më tepër një politikë e brendshme e shënjuar nga ajo vetëpërmbajtja logjike që karakterizon qasjen e Kinës me pjesën tjetër të botës, dhe jo për mangësi provash.


CFP

Por, para disa muajsh Kina shpalosi për publikun raportin e një hetimi duke dhënë shumë detaje rreth sulmeve kibernetike të kryera nga ShBA. Raporti ishte nga Qendra e Reagimit Emergjent dhe Sigurisë së Internetit të Kinës, ku thuhet se agjencitë amerikane kanë shfrytëzuar dobësitë dhe zbrazëtira për të kryer sulme në server e terminale kineze. U gjet se objektivat përfshinin kërkimin shkencor të industrisë së aviacionit Kinez, institucionet e industrisë së naftës dhe kompanitë e agjencitë qeveritare.

Një analist kinez shprehet se nuk ka asnjë çudi me çfarë po ndodh, pasi ShBA shpenzon 1.6 trilion dollarë në vit për sigurinë, ku pak më shumë se gjysma janë shpenzime ushtarake dhe pjesa tjetër është në sigurinë e brendshme dhe atë kibernetike. Dhe këto sulme nuk janë vetëm me ata që i quajnë rivalë, si në rastin e Kinës, por edhe me ata që i quajnë aleatë.


Eduard Snowden

Aleatët nuk flasin pasi politikisht është shkatërruese për imazhin politik brenda vendeve të tyre. Mjafton të kujtojmë se si danezët zbuluan se telefoni i Angela Merkel përgjohej nga administrata Obama në vitin 2012, e deri tek dokumentat që zbuloi Eduard Snowden, ku ai bëri publike se ish punëdhënësit e tij ‘hakerojnë rrjetet e Kinës’ pa pushim. Si rasti i objektivave në Hong Kong përfshinin universitetet kineze, zyrtarët publikë e bizneset, dhe të famshmet “përgjimet e 35 liderëve botërorë”.

Në fund të korrikut 2023, u deklarua nga autoritetet kineze se Qendra e Monitorimit të Tërmeteve në Wuhan pësoi një sulm kibernetik të nisur nga një organizatë jashtë shtetit, tha në një deklaratë zyra e menaxhimit të emergjencave të qytetit. Paneli i ekspertëve të mbledhur për këtë rast zbuloi se sulmi kibernetik ishte iniciuar nga grupe hakerash dhe shkelës të ligjit me prejardhje qeveritare nga jashtë vendit. Provat paraprake sugjerojnë se sulmi kibernetik ishte i mbështetur nga ShBA. Qendra ka mbyllur menjëherë pajisjet e prekura dhe ka raportuar sulmin tek autoritetet e sigurisë publike, në mënyrë që të hetojnë rastin dhe të trajtojnë organizatën e hakerave dhe kriminelët sipas ligjit, thuhet në deklaratë.


CFP

Sipas byrosë së sigurisë publike, ky program i zbuluar mund të kontrollojë dhe vjedhë në mënyrë të paligjshme të dhënat e intensitetit sizmik të mbledhura nga stacionet e përkatëse.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze, Mao Ning, kritikoi sulmet, pasi ato përbënin një kërcënim serioz për sigurinë kombëtare të Kinës, duke vënë në dukje se Kina do të marrë masat e nevojshme për të mbrojtur sigurinë kibernetike të Kinës. Nga njëra anë, qeveria amerikane angazhohet në aktivitete keqdashëse kibernetike kundër vendeve anembanë botës, përfshirë Kinën, ndërsa nga ana tjetër, reklamon vazhdimisht teorinë e “sulmit të hakerave kinezë” – ky është një standard tipik i dyfishtë dhe manipulim politik, tha Mao Ning. Politizimi i sigurisë kibernetike nga ShBA ndërhyn seriozisht në përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar për të adresuar së bashku sfidat përmes dialogut e bashkëpunimit dhe dëmton seriozisht besimin e ndërsjellë midis vendeve, përfundoi Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme.

Të dhënat e intensitetit sizmik i referohen intensitetit dhe magnitudës së një tërmeti, të cilët janë dy tregues të rëndësishëm të fuqisë shkatërruese të tij dhe ato janë të lidhura ngushtë me sigurinë kombëtare. Për shembull, disa objekte ushtarake duhet të marrin parasysh gjithmonë faktorët e intensitetit sizmik, shprehen ekspertët.

Mendohet se janë afro 10 mijë sulmet kibernetike nga ShBA drejt Kinës vetëm në vitet e fundit. Por ka shumë precedentë të tjerë. Në vitin 2022, u hakerua Universiteti Politeknik Veriperëndimor në Xi’an, pas një hetimi u arrit në përfundimin se sulmi kibernetik ishte kryer nga Operacionet e Përshtatura të Aksesit (TAO) të Agjencisë së Sigurisë Kombëtare të ShBA-së (NSA).

Armët e fundit kibernetike mbulojnë pothuajse të gjitha asetet e internetit në mbarë botën. Ato mund të kontrollojnë rrjetet e vendeve të tjera, të vjedhin të dhënat e tyre të rëndësishme dhe të ndjeshme në çdo kohë dhe kudo.

Por masat po merren në mënyrë kapilare për sigurinë kombëtare në këtë aspekt. Presidenti kinez Xi Jinping, në 14 korrik 2023 në Konferenca Kombëtare për Sigurinë Kibernetike dhe IT që u mbajt në Pekin, ka dhënë udhëzime të rëndësishme për sigurinë kibernetike dhe punën e aplikimit të teknologjisë së informacionit. Ai vuri në dukje se që nga Kongresi i 18-të Kombëtar i (viti 2012), vendi ka bërë arritje të jashtëzakonshme në zhvillimin e sigurisë kibernetike dhe aplikimit të teknologjisë së informacionit.

Xi theksoi se ndërsa Kina nis një udhëtim në Epokën e Re, roli i internetit dhe teknologjisë së informacionit po bëhet gjithnjë e më i spikatur. Në këtë Epokë të Re tha Xi, duhet të bëhen përpjekje për të ndërtuar një ekip besnik, të pastër dhe të përgjegjshëm në sektorin e internetit dhe teknologjisë së informacionit. Ata duhet të bëjnë përpjekje për të nxitur zhvillimin cilësor të këtij sektori, duke arritur nivele të reja në ndërtimin e një vendi me fuqi të lartë kibernetike.


Diplomati i lartë kinez Wang Yi në takim të BRICS-it në Johanesburg/Xinhua

Edhe me të gjitha sa më sipër, sulme të njëpasnjëshme dhe të përsëritura, sërish Kina zyrtare, bën thirje për ndërtimin e një hapësire kibernetike të hapur dhe gjithëpërfshirëse. Në fjalët e Diplomatit të lartë kinez Wang Yi, në takim e BRICS në Johanesburg para disa ditësh, hapësira kibernetike nuk duhet të jetë një “fushë beteje e re” me “perde hekuri dixhitale”.

Duke vënë në dukje se siguria kibernetike është një gur themeli i rëndësishëm i sigurisë kombëtare, është e nevojshme që vendet në zhvillim të përmirësojnë komunikimin strategjik, të përcaktojnë drejtimin e bashkëpunimit dhe të mbrojnë interesat e përbashkëta në këtë drejtim.

Kina ngelet e gatshme për të forcuar shkëmbimet dhe për të thelluar bashkëpunimin për ndërtimin e një “komuniteti me një të ardhme të përbashkët në hapësirën kibernetike”.

Burimi: CRI.CN

Lexo më shumë nga

Veliaj me kreun e Komitetit të Miqësisë shqiptaro-japoneze: Bashkëpunim në biznes e turizëm

Më herët, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj u prit dhe nga kryetarja e Bashkisë së Tokios, Yuriko Koike.

Global 360

Meloni: Marrëveshja me Shqipërinë për migrantët frymëzim edhe për vendet e tjera

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni interviste me gazetarin Maurizio Belpietro, në kuadër të eventit ”Il giorno della verita”

Diplovista

Moisiu: Greqia të ndryshojë sjelljen ndaj Shqipërisë!

Ish-presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu, intervistë për Euronews Albania

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Shkolla e shkrimtarit

Shkrimtari nuk bëhet nga shkolla, shkrimtari lind.

Profil

Ibrahim Kodra, “poskubisti” i fundit në Europë

Kur ishte fëmijë, portreti që i bëri komandantit të xhandarmërisë së qytetit rezultoi fatsjellës për të.

Masmedia

Veliaj me kreun e Komitetit të Miqësisë shqiptaro-japoneze: Bashkëpunim në biznes e turizëm

Më herët, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj u prit dhe nga kryetarja e Bashkisë së Tokios, Yuriko Koike.