Ambasadorja suedeze, Elsa Hastad: Ja çfarë më pëlqen dhe nuk më pëlqen në Shqipëri

Ambasadorja suedeze, Elsa Hastad, në një intervistë të veçantë për Euronews Albania.


E shohim shpesh në ekran në deklarata apo aktivitete. Por, sot kemi vendosur ta sjellim në një tjetër dimension, më njerëzor, më të prekshëm.

Ambasadorja suedeze, Elsa Hastad na mirëpret në një mëngjes rutinë në rezidencën suedeze në Tiranë. Aty ku gjithçka, flet suedisht.

“Ky është një tapet feminist. Është krijuar nga një grua artiste shumë e njohur. Këto janë produkte suedeze nga një firmë e veçantë që prodhon mobilie të qëndrueshme edhe ekologjike”, na tregoi ambasadorja.

Në Shqipëri e njohin si bashkëshorti i ambasadores suedeze dhe ai është mësuar me këtë rol. Por, në Suedi rolet ndërrohen, ambasadorja është bashkëshortja e poetit dhe shkrimtarit në zë, Kristoffer Leandoer.

Është i njohur pasioni i ambasadores Hastad për mbrojtjen e mjedisit dhe shfrytëzimin e tij në mënyrë të shëndetshme. Këtij pasioni nuk mund t’i shpëtonte as rezidenca suedeze, ku ambasadorja Elsa ashtu si pranon ta quajmë me sportivitet, i ka dhënë jetë këtij kopshti të vogël. Disa përbërës për mëngjesin e sotëm i mblodhi pikërisht aty.

Diplomatja dhe burri i saj Kristofer janë promovues të barazisë gjinore dhe këtë e kupton edhe ndërsa i sheh të gatuajnë së bashku një mëngjes suedez.

Mëngjesin e konsumojnë çdo ditë bashkë mes bisedave të ndryshme. Aty ku Shqipëria zë një hapësirë jo të vogël mes zhvillimeve politike dhe problemeve me lirinë e medias.

“Unë i lexoj lajmet shqiptare në anglisht. Kam edhe një televizor në shqip në katin e sipërm. Sigurisht që ndjek Euronews. Euronews më pëlqen, pasi janë të balancuar dhe prodhojnë një kualitet të lartë. Kjo më pëlqen dhe më duhet, sepse shumë media shqiptare janë të politizuara”, u shpreh ambasadorja.

Duke iu rikthyer më shumë se dy dekadave kohë bashkë, na tregojnë edhe për mënyrën se si kanë gjetur ekuilibrat në familje. Pa role të ndara, burrë-grua dhe e pa privuar veten asnjë prej të dyve nga karriera.

Shumë gjëra mund të mësosh nga një mëngjes me ambasadoren dhe Kristofer, për ta, por edhe për mënyrën se si shohin vendin tonë.

Rutina vijon me një shëtitje në kopshtin e rezidencës, para se secili të nisë ditën e vet vrullshëm. Është impresionuese se si ambasadorja suedeze i gëzohet kaq shumë natyrës. Madje edhe gjërave të vogla të saj.

“Këto ishin më të mirat, ndaj jam edhe super krenare. Çdo domate është e mrekullueshme”, tha ajo.

Një bisedë e shkurtër për planet e javës me ndihmësen e saj në rezidencë dhe më pas rikthehet në rolin e saj parësor si ambasadore e Suedisë në Shqipëri.

Nga fjalët e saj të para në shqip e deri tek çfarë nuk i pëlqen tek shqiptarët, Elsa e kthen intervistën, në një bashkëbisedim vërtet miqësor.

“Fjalët e preferuara janë ‘ça ke bo’, ‘ça bone’? Po më pëlqejnë të gjitha fjalët tuaj, sidomos ato që kanë fjalën, mirë, shumë mirë”, tha ajo.

“Ju jeni të veçantë, pasi jeni kaq mikpritës, kaq të ngrohtë. Mundoheni vërtet për të bërë më të mirën e mundshme. Gjëja e dytë është bukuria e këtij vendi. Është e mahnitshme”, tha ajo.

“Diçka që s’më pëlqen është një histori negative rreth Shqipërisë që përsëritet mes njerëzve, që thonë së këtu në Shqipëri është keq, që gjëra nuk funksionojnë”, shtoi diplomatja.

“Kjo është një gjë shumë e keqe, plehrat. Kur udhëtoj në një vend kaq të bukur dhe shoh gjithë ati qese plastike dhe plehra. Kjo më trishton”, tha ajo më tej.

Diplomatët janë diplomatë, sidomos kur biseda përqendrohet tek politika.

Por, ambasadorja Elsa, ka një mënyrë të vetën për tu përgjigjur edhe kur pyetja i kërkon të jetë e drejtpërdrejtë. Nuk mund të ishte jashtë bisedës sonë, ajo që shpesh po lexohet si ndërhyrje e ndërkombëtarëve në çështjet e brendshme të Shqipërisë dhe në skenën politike shqiptare.

“Puna jonë është që t’ju mbështesim juve në punën tuaj dhe në atë që doni të bëni. Për Suedinë është shumë e qartë, barazia gjinore, demokracia dhe mjedisi”, deklaroi ambasadorja.

“Mendoj se ju duhet të gjeni besimin tek politikanët tuaj, tek shteti, tek njerëzit tuaj. Dua të them se ne nuk mundet thjesht të vijmë dhe të jemi një grup i dytë politikanësh, ajo do të ishte e gabuar”, shtoi ajo.

Ajo vlerëson pozitivisht vendimin e Shqipërisë për të mirëpritur afganët.

Me pak rutinë mëngjesi, disa sekrete familjare, e deklarata të forta mbi median dhe politikën, ambasadorja suedeze na tregoi shumëçka nga jeta e saj këtu në Shqipëri, pa harruar të na shoqërojë me të qeshurën e saj./Euronews Albania/

Adresimi i sulmeve kibernetike, Shqipëria merr vendin e parë në Emiratet e Bashkuara Arabe

Shqipëria triumfon në Global CyberDrill 2024, eventin më të madh që organizohet çdo vit nga komunitetit global në menaxhimin e…

Global 360

Komandanti i NATO-s për Evropën: Po shtojmë forcat në Kosovë

Cavoli vlerësoi se tensionet etnike në Bosnjë gjithashtu kanë potencial për të përshkallëzuar dhe destabilizuar rajonin e Ballkanit Perëndimor

Diplovista

Moisiu: Greqia të ndryshojë sjelljen ndaj Shqipërisë!

Ish-presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu, intervistë për Euronews Albania

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Shqipëria në NATO, një histori suksesi!

Fjala e mbajtur në Konferencën me rastin e 15-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.

Profil

Ibrahim Kodra, “poskubisti” i fundit në Europë

Kur ishte fëmijë, portreti që i bëri komandantit të xhandarmërisë së qytetit rezultoi fatsjellës për të.

Masmedia

Adresimi i sulmeve kibernetike, Shqipëria merr vendin e parë në Emiratet e Bashkuara Arabe

Shqipëria triumfon në Global CyberDrill 2024, eventin më të madh që organizohet çdo vit nga komunitetit global në menaxhimin e…