
Vengu: Forcim i kuadrit rregullator në industrinë ushtarake, përmbyllim kapitullin 30 të negociatave me BE
Në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike u shqyrtuan ditën e sotme, dy projektligje të cilat u bashkuan në një të vetëm, projektligji, “Për kontrollin shtetëror të transferimeve ndërkombëtare të mallrave ushtarake dhe të artikujve e teknologjive me përdorim të dyfishtë”, si nismë e Këshillit të Ministrave dhe si nismë e deputetit të PS, Ilirian Pendavinji.

Në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike u shqyrtuan ditën e sotme, dy projektligje të cilat u bashkuan në një të vetëm, projektligji, “Për kontrollin shtetëror të transferimeve ndërkombëtare të mallrave ushtarake dhe të artikujve e teknologjive me përdorim të dyfishtë”, si nismë e Këshillit të Ministrave dhe si nismë e deputetit të PS, Ilirian Pendavinji.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, tha se ky projektligj është pjesë e paketës që synon të forcojë kuadrin rregullator të Shqipërisë në fushën e industrisë ushtarake, zinxhirëve të furnizimit dhe kontrollin e transferimeve të mallrave ushtarake me përdorim të dyfishtë.
“Ligji aktual ka funksionuar për shtatë vite e gjysmë, por mjedisi ndërkombëtar ka ndryshuar ndjeshëm. Rritja e teknologjive kibernetike, përdorimet jo fizike të teknologjisë, përdorimi i mallrave të dyfishtë për qëllime jo të ligjshme, të gjitha këto krijojnë sfida të reja që kërkojnë kuadër rregullator më të avancuar ndaj rrezikut dhe mënyrës si kontrollohen eksportet”, tha Vengu.
“Projektligji harmonizon plotësisht kuadrin rregullator vendas me atë të BE-së, sjell forcimin e mekanizmave të kontrollit, forcim të riskut, parandalim të devijimit të mallrave me përdorim të dyfishtë dhe rritjen e sigurisë juridike për autoritetet rregullatore”, pohoi Vengu.
Ministri Vengu u ndal edhe te risitë e këtij projektligji, duke renditur disa të tilla si kontrolli i teknologjive të reja dhe transferimet jo fizike, përfshirjen për herë të parë të software-ve, teknologji kibernetike, transmetime elektronike dhe aksese në distancë duke mbushur boshllëqe në ligjin ekzistues.
“Përfshihen në këtë projektligj edhe elemente të të drejtave të njeriut në procesin e licencimit. Vlerësimi i rrezikut përfshin përdorimin e mundshëm për survejim, shkelje të ligjeve themelore, dhe në këtë mënyrë forcojmë kuadrin rregullator për sa i përket licencimit. Kemi edhe një linjëzim me rregullatorin e BE-së për sa i përket mekanizmit “catch all”, ku autoriteti licencues mund të ndërhyjë në treg edhe për mallra jo të listuar, ku ekziston një rrezik real devijimi dhe entet ligjzbatuese mund të kryejnë bllokime përkatëse”, tha Vengu.
Vengu shtoi se “përgjegjësia e rregullatorëve ekonomikë, forcohet me programet e përputhshmërisë së brendshme dhe me kontrollet afatgjatë”.
Sipas tij, bashkëpunimi ndërinstitucional dhe afatgjatë, synon që të përmirësojë shkëmbimin e informacionit nëpërmjet autoriteteve ligjzbatuese.
“Një risi ka të bëjë me regjimin e licencave. Projektligji krijon një bazë ligjore për licencat e përsëritura, një kërkesë e hershme kjo e tregut. Identifikohen edhe kategoritë e operatorëve me rrezik të ulët, edhe licencim për programe afatmesme në aktivitetin prodhues të industrisë ushtarake”, vijoi Vengu.
Ministri i Mbrojtjes shtoi se ky është projektligji i parë që sillet në Kuvend dhe që përmbush piketat përfundimtare të kapitullit 30 për Politikën e Jashtme, i cili, si u shpreh ai “synohet të jetë kapitulli i parë që përmbyllim si Qeveri në kuadër të negociatave me BE-në”.
Nga ana e tij, relatori Ermal Pacaj në emër të Komisionit për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, u shpreh se projektligj është në përputhje me legjislacionin e brendshëm dhe atë të BE-së.
Projektligjet u miratuan me shumicë votash pro.
Burimi ATSH



















