
Costa për Shqipërinë: Viti 2026 vendimtar për reformat
Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, vlerësoi përparimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian, duke theksuar se Tirana ka arritur të hapë të gjithë grup-kapitujt e negociatave në një kohë shumë të shkurtër, me hapjen e fundit në muajin nëntor.

Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, vlerësoi përparimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian, duke theksuar se Tirana ka arritur të hapë të gjithë grup-kapitujt e negociatave në një kohë shumë të shkurtër, me hapjen e fundit në muajin nëntor.
Sipas tij, viti i ardhshëm do të jetë momenti i së vërtetës për Shqipërinë për të përshpejtuar reformat dhe për të dhënë rezultate konkrete në procesin e anëtarësimit.
“Shqipëria ka arritur të hapë të gjithë grup-kapitujt e negociatave në një kohë shumë të shkurtër, të fundit vetëm në nëntor. Viti i ardhshëm do të jetë momenti i tyre i së vërtetës për të përshpejtuar reformat”, tha Costa.
Deklarata u bë pas përfundimit të Samitit BE–Ballkani Perëndimor, ku Costa riafirmoi mbështetjen e fortë të Bashkimit Evropian për të ardhmen evropiane të rajonit.
Ai theksoi se zgjerimi mbetet qendror për objektivat e përbashkëta të BE-së, duke e cilësuar atë si zgjedhjen e duhur nga pikëpamja gjeopolitike, ekonomike dhe politike.
“Zgjerimi tani po ecën më shpejt se sa ka ecur në 15 vitet e fundit dhe ne duhet ta shfrytëzojmë këtë mundësi,” u shpreh Costa, duke nënvizuar se procesi bazohet në meritë dhe se vendet që ecin më shpejt duhet të shërbejnë si shembull për të tjerët.
Në vlerësimin e tij për vendet e rajonit, Costa përmendi edhe përparimin e Malit të Zi, ku vetëm këtë javë u mbyllën me sukses pesë kapituj negociues, si dhe miratoi hapat e ndërmarrë nga Bosnja dhe Hercegovina me miratimin e Axhendës së Reformave.
Për Maqedoninë e Veriut, ai shprehu pritshmëri për përparim real në vitin 2026, ndërsa për Kosovën theksoi rëndësinë e ndërtimit të besimit mes komuniteteve dhe rolin vendimtar të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.
Duke iu referuar sfidave të mbetura, Costa nënvizoi se vetëm duke kapërcyer të kaluarën, Ballkani Perëndimor mund të marrë plotësisht rolin e tij si anëtar i ardhshëm i BE-së dhe të kontribuojë në një Evropë të qëndrueshme, të begatë dhe të bashkuar.
“BE-ja është dhe do të mbetet partneri më i besueshëm i Ballkanit Perëndimor. Të gjitha këto vende janë pjesë e familjes evropiane dhe Bashkimi Evropian është vendi i tyre”, përfundoi ai, duke shprehur pritshmëritë për Samitin e radhës BE–Ballkani Perëndimor që do të mbahet në Mal të Zi në qershor 2026.
/Marrë nga ATSH


















