
Presidenti i Këshillit Evropian, Costa: Zgjerimi i BE-së, investim strategjik për paqen dhe të ardhmen e kontinentit
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Kosta, deklaroi sot se zgjerimi i Bashkimit Evropian është një nga sfidat më domethënëse dhe njëkohësisht një investim strategjik për të ardhmen e Evropës.

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Kosta, deklaroi sot se zgjerimi i Bashkimit Evropian është një nga sfidat më domethënëse dhe njëkohësisht një investim strategjik për të ardhmen e Evropës.
Në fjalën e mbajtur në edicionin e 20-të të Forumit Strategjik të Bledit, që po zhvillohet në Slloveni, Kosta theksoi nevojën për të menduar strategjikisht për të përballuar sfidat e së ardhmes.
“Në këtë moment kyç, ndërsa pllakat tektonike të rendit botëror po zhvendosen, dua të ndalem në tre pika kryesore: së pari, ngjarjet që kanë formësuar kohën në të cilën jetojmë; së dyti, çfarë përfaqëson Bashkimi Evropian sot; dhe së treti, si mund të bëhet BE më e fortë dhe më e sigurt”, tha Kosta.
Presidenti i Këshillit Evropian, Kosta vuri në dukje se anëtarësimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor, Moldavisë dhe Ukrainës është përparësi.
“Bashkimi Europian nuk është një klub i mbyllur. Ne jemi një bashkësi vlerash dhe një projekt paqeje e begatie. Dhe ky projekt nuk është ende i plotë. Rruga e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, Moldavisë dhe Ukrainës nuk është vetëm një premtim, është një përparësi. Këto vende janë në zemër të Evropës dhe pjesë e së ardhmes së saj”, u shpreh Presidenti i Këshillit Evropian.
Kosta nënvizoi se në vitet në vijim, BE duhet të përgatitet për zgjerim përmes reformave institucionale, përshtatjes buxhetore dhe forcimit të qeverisjes.
“Zgjerimi nuk do të jetë i lehtë, por do të jetë diçka që ja vlen, është investimi më i mirë që mund të bëjmë për të pajtuar vende e histori dhe për të ndërtuar një kontinent më të bashkuar. Do të vazhdojmë të punojmë me partnerët tanë të zgjerimit dhe të përfitojmë nga ky moment pozitiv për zgjerimin. Plani i Rritjes i BE-së për Ballkanin Perëndimor është diçka që ndryshon në mënyrë potenciale lojën, që ndihmon për reformat, integrimin ekonomik e nuk duhet ta humbim këtë moment. Të gjithë udhëheqësit duhet të bëjnë pjesën e tyre, të gjitha palët duhet të marrin përgjegjësi, sepse kjo nuk ka të bëjë me gjeografinë, por me vlerat, demokracinë, të drejtat e njeriut, lirinë dhe sundimin e ligjit”, tha ai.
Sipas tij, sfida më e madhe për vendet e rajonit nuk qëndron vetëm te reformat apo negociatat teknike, por te përvetësimi i një mendësie dhe kulture të re, që lë pas konfliktet historike dhe ndërton një të ardhme të përbashkët.
“Zgjerimi përfaqëson një sfidë domethënëse për BE-në dhe shtetet anëtare, por është edhe më kërkuese për vendet e Ballkanit Perëndimor. Dhe vështirësia më e madhe nuk janë reformat e kërkuara apo negociatat e kapitujve e grupkapitujve të ndryshëm. Sfida e vërtetë ka të bëjë me përshtatjen e një mendësie e kulture të re që tejkalon konfliktet historike për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët. Në botën e sotme të fragmentarizuar, BE zgjedh të veprojë jo vetëm përmes fuqisë, por edhe përmes partneritet parimit e ruajtjes. Ne do të qëndrojmë krah atyre që do të mbështesin të drejtën ndërkombëtare, jo krah atyre që duan ta shpërbëjnë. Do të vazhdojmë të ndërtojmë një Europë më të forte, jo vetëm për veten tone, por në të mirë të së paqes globale drejtësisë dhe bashkëpunimit. Ky është zotimi i Europës, propozimi i Europës”, deklaroi Kosta.
/Burimi ATSH