
Nga 30 vatra, pesë janë më kritike, Vengu: Dyshojmë se shumica janë të qëllimshme
Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu tha sot se nga 30 vatra aktive në të gjithë vendin, 5 janë më kritiket. Në një intervistë për mediet, Vengu nënvizoi se po vijon puna për shuarjen nga toka e ajri, ashtu edhe për hetimin e zjarrvënieve të dyshuara të qëllimshme.

Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu tha sot se nga 30 vatra aktive në të gjithë vendin, 5 janë më kritiket. Në një intervistë për mediet, Vengu nënvizoi se po vijon puna për shuarjen nga toka e ajri, ashtu edhe për hetimin e zjarrvënieve të dyshuara të qëllimshme.
Nga Poliçani ku po ndiqte situatën në terren, Vengu theksoi se pjesa më e madhe e vatrave janë të qëllimshme, por ka edhe nga ato që riaktivizohen si pasojë e pamundësisë për t’i kontrolluar të gjithë zonat e zjarrit pas shuarjes.
“Kemi rrezikun maksimal në shkallë edhe për shkak të kushteve meteorologjike, temperaturave të larta, por edhe faktorit njerëzor. Sot kishim më shumë vatra aktive sesa të shuara. Sot kemi 30 vatra, ku 5 kanë rrezikshmëri të lartë dhe po i monitorojmë. Po ndërhyjmë nga ajri – si në zonën e Finiqit – si nga ajri me mjete fluturuese, por edhe nga terreni. Situata është dinamike ku ka pasur flakë që kanë kaluar te zona e Syrit të Kaltër, por jemi optimistë pasi forcat ndodhen në terren dhe në mëngjes do bëjmë bilancin. Tjetër emergjencë kishim në Tepelenë, në Lekël, fatmirësisht pa dëme në njerëz dhe banesa. Këtu jemi në Poliçan, ku ka vatra zjarri, shumica fiken nga toka dhe ajri. Jemi me 9 mjete të Forcave të Armatosura përfshirë, shpresojmë se do kemi situatë më të qetë gjatë mbrëmjes, por kërkohet vigjilencë maksimale”, tha Vengu.
Vengu tha më tej se dy nga vatrat më problematike të orëve të fundit dhe që dyshohen të qëllimshme janë edhe ato në Kavajë-Rrogozhinë dhe në Zall-Herr të Tiranës, shumë pranë reparteve të ushtrisë. Ministri tha se për të dyja dyshohet të jetë nga njerëzit, pasi nuk kanë historik të mëparshëm.
“Kemi pasur vatra komplekse në Rrogozhinë dhe Kavajë, me zjarre masive. Dyshimet tona janë për zjarre të qëllimshme, sepse nuk kanë histori zjarresh ato zona. Në këto momente po bëhet një betejë e fortë në Zall-Herr, për koincidencë ose jo, mes dy reparteve ushtarake dhe speciale, shpërtheu një zjarr në orët e pasdites, i pakuptimtë edhe nga pikëpamja e historikut, teksa po përpiqemi me strukturat, zjarrfikësit dhe Bashkinë Kamëz për t’i shuar”, tha ai.
Vengu shpjegoi edhe ndihmën e dhënë nga vendet partnere nëpërmjet Mekanizmit Europian të Mbrojtjes.
“Mekanizmi Europian ekziston pikërisht për këto situata. Ne jemi të angazhuar me të dhe sot kemi pasur mbështetje me 2 avionë grekë në Finiq që na kanë ndihmuar. Kemi 2 helikopterë nga Çekia dhe Sllovakia në Poliçan, Tepelenë. Kemi një Canadair që veproi në Tiranë dhe më gjerë. Kemi një lajm pozitiv, se kanë mbërritur edhe 2 helikopterët nga Emiratet Arabe dhe do nisin punën nesër. Jemi në kushtet që këto mjete t’i shfrytëzojmë në 5 pikat më nevralgjike ditën e nesërme. Eksperienca tregon se 90% të rasteve është faktori njerëzor që kryesisht është i qëllimshëm. Si në Poliçan për shembull, kur ne fiknim disa vatra dhe ato riaktivizoheshin diku më larg dhe kështu me radhë”, u shpreh ministri.
Gjithashtu Vengu foli edhe shkakun pse riaktivizohen një pjesë e zjarreve.
“Një pjesë e zjarreve riaktivizohen për shkak se nuk dominohen dot nga forcat, pasi ka trungje me prush që e riaktivizojnë, por ka dhe shumë të tjera që janë të qëllimshme. Forcat do të jenë në terren për monitorimin, por edhe për të punuar e ndaluar zjarret e qëllimshme. Kemi kërkuar edhe vijimin e hetimeve për këto raste”, përfundoi Vengu.
/Burimi ATSH