
Këshilli Ndërfetar apel për dialog: Shkatërrimi i pronës dhe cenimi i të drejtave të të tjerëve nuk mund të justifikohen
Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë u bëri thirrje qytetarëve dhe institucioneve të zgjedhin dialogun, përgjegjësinë dhe zgjidhjet paqësore, duke theksuar se shqetësimet e qytetarëve dhe studentëve meritojnë të dëgjohen me seriozitet.

Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë u bëri thirrje qytetarëve dhe institucioneve të zgjedhin dialogun, përgjegjësinë dhe zgjidhjet paqësore, duke theksuar se shqetësimet e qytetarëve dhe studentëve meritojnë të dëgjohen me seriozitet.
Në një deklaratë të përbashkët, Këshilli Ndërfetar theksoi se institucionet kanë përgjegjësinë të japin përgjigje konkrete, transparente dhe në përputhje me ligjin.
“Paqja është përgjegjësi e përbashkët. Drejtësia është detyrim. Respekti për njeriun është themeli që na bashkon”, thuhet në deklaratë.
Përfaqësuesit e komuniteteve fetare në Shqipëri nënvizuan se e drejta për të protestuar paqësisht është një vlerë themelore demokratike, ndërsa dhuna, shkatërrimi i pronës dhe cenimi i të drejtave të të tjerëve nuk mund të justifikohen nga pakënaqësitë apo qëllimet e protestuesve.
Sipas Këshillit Ndërfetar, dëmtimi i bizneseve familjare cenon jetesën e familjeve, dëmtimi i institucioneve arsimore prek të drejtën për dije dhe siguri, ndërsa mosrespektimi i përfaqësive diplomatike dhe simboleve të tyre cenon parimet e respektit të ndërsjellë dhe bashkëjetesës ndërkombëtare.
Në deklaratë theksohet gjithashtu se vendi ka nevojë për më shumë dëgjim dhe përgjegjësi, në vend të akuzave dhe përplasjeve.
“Asnjë palë nuk duhet ta shohë tjetrën si armike, por si pjesë të së njëjtës shoqëri, me të drejta, detyrime dhe përgjegjësi të përbashkëta”, thuhet në deklaratë.
Këshilli Ndërfetar u bëri thirrje të gjitha palëve që qytetarët të dëgjohen, institucionet të përgjigjen, drejtësia të garantohet dhe ligji të respektohet.
“E ardhmja e Shqipërisë nuk ndërtohet mbi frikën, shkatërrimin dhe përçarjen, por mbi dinjitetin, besimin e ndërsjellë dhe vullnetin për të gjetur zgjidhje paqësore”, përfundon deklarata.
/Burimi ATSH



















