
Komisionerja Kos: Mbështesim ambicien e Shqipërisë për t’i përmbyllur negociatat deri në fund të vitit 2027
Komisionerja Europiane për Zgjerimin, Marta Kos deklaroi sot se Bashkimi Europian e mbështet ambicien e Shqipërisë për t’i përmbyllur negociatat deri në fund të vitit 2027.

Komisionerja Europiane për Zgjerimin, Marta Kos deklaroi sot se Bashkimi Europian e mbështet ambicien e Shqipërisë për t’i përmbyllur negociatat deri në fund të vitit 2027.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama, ministrin e Shtetit për Çështjet Europiane dhe Mbrojtjen të Irlandës, Thomas Byrne (mbajtëse e Presidencës së radhës të Këshillit të BE) pas Konferencës së 10-të Ndërqeveritare Shqipëri–Bashkimi Europian, Komisionerja Kos tha se “Shqipëria është një nga kryesueset e këtij progresi mbresëlënës që po arrijmë sot”.
“Falë punës së madhe të Shqipërisë dhe mbështetjes së vendeve anëtare po mbyllim një tjetër kapitull negociues, Kapitullin 20, për sipërmarrjen dhe politikat industriale, që ka të bëjë me ndihmën për bizneset shqiptare që të rriten, të zhvillohen, të konkurrojnë të krijojnë më shumë vende pune”, tha Kos.
Komisionerja Kos u shpreh se “bizneset e vogla dhe të mesme janë shtylla kurrizore e ekonomisë shqiptare, reformave dhe Kapitulli 20 sjell përfitime reale për ta”.
“Shqipëria po ashtu po sjell politikat e saj industriale më pranë atyre të BE-së, sidomos sa u takon teknologjive të reja, teknologjisë së pastër dhe materialeve plastike, dhe këto janë thelbësore për të ndërtuar një ekonomi më të fortë shqiptare që është e gatshme të rritet dhe të zhvillohet në tregun e përbashkët të BE-së”.
Komisionerja Kos përgëzoi institucionet shqiptare, administratën publike dhe qytetarët për një tjetër arritje dhe sidomos ministren e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj.
“E dashur ministre Delina, kjo është arritja juaj”, tha Kos.
Më tej Kos, u shpreh se “Shqipëria i ka vënë vetes objektivin ambicioz për të mbyllur të gjithë kapitujt negociues deri në fund të 2027-ës dhe ne e mbështesim këtë ambicie. Por për të arritur këtë ambicie Shqipëria duhet të vazhdojë të japë rezultate sidomos për “Themeloret” dhe kjo punë duhet të përfshijë të gjithë qeverinë, opozitën, shoqërinë civile dhe qytetarët. Pse? Sepse anëtarësimi në BE është një projekt kombëtar. Ne po përgatitemi për një Bashkim Europian më të gjerë. Javën e kaluar ne paraqitëm vlerësimin tonë se si duhet të përgatitemi për një BE më të madh. Mesazhi ynë ishte që ne mund ta bëjmë të funksionojë një Bashkim Europian më të madh, por duhet të hedhim hapat e nevojshëm që ta bëjmë këtë gjë realitet”.
“E ardhmja e Shqipërisë është në BE së bashku me ju, Kryeministër, po e bëjmë këtë gjë realitet dhe progresi i sotëm për atë të ardhme është një hap më pranë realizimit”, tha Kos.
Marrë nga ATSH


















