
Ibrahimaj: Teknologjia dhe IA, kyçe për më shumë transparencë dhe eficencë
Marrëveshja u nënshkrua nga administratori i OBP-së, Jonaid Myzyri, dhe drejtorja e Zyrës së UNOPS për Shqipërinë dhe Kosovën, Sabine Kania.

Operatori i Blerjeve të Përqendruara (OBP) dhe Zyra e UNOPS për Shqipërinë dhe Kosovën nënshkruan në Tiranë marrëveshjen e bashkëpunimit “Prokurojmë së bashku për Shqipërinë Evropiane”, që synon forcimin e blerjeve strategjike, rritjen e eficencës dhe përmirësimin e mëtejshëm të proceseve të prokurimit publik në Shqipëri.
Marrëveshja u nënshkrua nga administratori i OBP-së, Jonaid Myzyri, dhe drejtorja e Zyrës së UNOPS për Shqipërinë dhe Kosovën, Sabine Kania.
Në ceremoninë e zhvilluar në Tiranë, morën pjesë ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, dhe Koordinatorja e Përhershme e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, Ingrid Macdonald.
Në kuadër të marrëveshjes, UNOPS do të ofrojë mbështetje teknike për një periudhë gjashtëmujore, me fokus forcimin e kapaciteteve institucionale të OBP-së, përmirësimin e mekanizmave të brendshëm dhe përafrimin e praktikave të prokurimit me standardet ndërkombëtare.
Bashkëpunimi synon gjithashtu të mbështesë zhvillimin e blerjeve strategjike dhe përdorimin më të gjerë të teknologjisë dhe zgjidhjeve inovative, me qëllim rritjen e transparencës, eficencës dhe cilësisë së prokurimit publik.
Në fjalën e saj, ministrja Ibrahimaj u ndal te roli i teknologjisë dhe digjitalizimit në transformimin e mëtejshëm të prokurimit publik, duke theksuar se investimi në teknologji është një nga instrumentet kryesore për rritjen e transparencës dhe luftën ndaj korrupsionit.
“Unë besoj fort që teknologjia dhe investimi në teknologji është e vetmja rrugë për të luftuar qoftë paragjykimin, qoftë eventualisht korrupsionin”, u shpreh Ibrahimaj.
Ministrja theksoi se përfshirja e inteligjencës artificiale në proceset e prokurimit do të mundësojë përmirësimin dhe automatizimin e proceseve, uljen e kostove dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve publike.
Ibrahimaj vlerësoi progresin e bërë gjatë viteve të fundit në fushën e prokurimit publik, duke nënvizuar rëndësinë e vijimit të reformave për rritjen e eficencës dhe transparencës së sistemit. Ajo vlerësoi gjithashtu punën e stafit të OBP-së në ndërtimin dhe konsolidimin e institucionit.
Duke iu referuar bashkëpunimit me UNOPS dhe organizatat e Kombeve të Bashkuara, ministrja theksoi rëndësinë e partneriteteve ndërkombëtare për forcimin e kapaciteteve institucionale dhe përmirësimin e standardeve të administratës publike.
Ibrahimaj bëri të ditur se objektivi për përfshirjen e inteligjencës artificiale në proceset e prokurimit publik pritet të realizohet brenda vjeshtës së vitit të ardhshëm, duke e cilësuar këtë një hap të rëndësishëm në transformimin e mëtejshëm të sistemit.
Koordinatorja e Përhershme e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, Ingrid Macdonald, vlerësoi rëndësinë e prokurimit publik efikas për forcimin e institucioneve dhe garantimin që burimet publike të përkthehen në shërbime cilësore për qytetarët.
“Përmes këtij partneriteti, UNOPS do të ofrojë ekspertizë ndërkombëtare për të mbështetur Operatorin e Blerjeve të Përqendruara në forcimin e kapaciteteve institucionale dhe përmirësimin e performancës, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe praktikat e mira”, tha Macdonald.
Drejtorja e Zyrës së UNOPS për Shqipërinë dhe Kosovën, Sabine Kania, u shpreh se marrëveshja krijon bazat për procese prokurimi më transparente dhe efikase, duke bashkuar ekspertizën ndërkombëtare të UNOPS me vizionin strategjik të OBP-së.
Ndërsa administratori i OBP-së, Jonaid Myzyri, theksoi se mbështetja teknike e UNOPS do të ndihmojë në integrimin e praktikave më të mira ndërkombëtare në sistemet e prokurimit dhe në forcimin e standardeve të integritetit dhe llogaridhënies në menaxhimin e fondeve publike.
Projekti do të zbatohet gjatë gjashtë muajve të ardhshëm dhe do të fokusohet në forcimin e kapaciteteve të stafit të OBP-së dhe përmirësimin e mekanizmave të brendshëm, me synim rritjen e cilësisë, eficencës dhe aksesueshmërisë së shërbimeve publike.
Burimi ATSH



















