
Projektligji i ri për Kujdesin Social, në fokus individi, familja dhe komuniteti
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka hedhur për konsultim publik projektligjin “Për shërbimet e Kujdesit Social në Republikën e Shqipërisë”, i cili synon krijimin e një kuadri të ri dhe të plotë ligjor për organizimin, financimin, sigurimin dhe ofrimin e shërbimeve të kujdesit social në vend.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka hedhur për konsultim publik projektligjin “Për shërbimet e Kujdesit Social në Republikën e Shqipërisë”, i cili synon krijimin e një kuadri të ri dhe të plotë ligjor për organizimin, financimin, sigurimin dhe ofrimin e shërbimeve të kujdesit social në vend.
Projektligji vendos në qendër individin, familjen dhe komunitetin, duke synuar garantimin e aksesit universal, mbrojtjen e të drejtave të përfituesve dhe promovimin e përfshirjes sociale.
Nisma synon të adresojë nevojat e reja të sistemit, përfshirë planifikimin mbi bazën e nevojave, financimin, menaxhimin e rastit, cilësinë e shërbimeve, profesionalizimin, digjitalizimin dhe monitorimin.
Një fokus i rëndësishëm i projektligjit është forcimi i shërbimeve të bazuara në familje dhe komunitet, mbështetja e jetesës së pavarur dhe zhvillimi i kujdesit afatgjatë, duke synuar reduktimin gradual të varësisë nga modelet rezidenciale.
Kjo qasje synon gjithashtu të mbështesë procesin e deinstitucionalizimit, duke reduktuar gradualisht varësinë nga modelet rezidenciale dhe duke krijuar alternativa të bazuara në familje dhe komunitet, veçanërisht për fëmijët dhe familjet në nevojë.
Projektligji parashikon gjithashtu forcimin e rolit të njësive të vetëqeverisjes vendore në planifikimin dhe garantimin e shërbimeve, si dhe krijimin e Fondit Social Vendor për mbështetjen dhe zhvillimin e shërbimeve në territor.
Gjithashtu, projektligji synon zgjerimin e gamës së shërbimeve të kujdesit social dhe krijimin e formave më fleksibël të mbështetjes, të përshtatura me nevojat e përfituesve.
Një objektiv tjetër i projektligjit është garantimi i aksesit universal dhe të barabartë në sistemin e shërbimeve të kujdesit social.
Për shërbimet emergjente, projektligji parashikon garantimin e aksesit për çdo individ në territorin e Republikës së Shqipërisë, pavarësisht statusit juridik, moshës, gjinisë apo gjendjes socio-ekonomike.
Një rëndësi e veçantë i kushtohet forcimit të kapaciteteve profesionale të personelit. Projektligji parashikon zhvillimin profesional, certifikimin dhe licencimin sipas natyrës së profesionit, zhvillimin profesional të vazhdueshëm dhe supervizimin profesional, me synim garantimin e cilësisë dhe sigurisë së shërbimeve.
Një tjetër komponent i rëndësishëm i kuadrit të ri është zhvillimi i një sistemi të integruar të informacionit dhe menaxhimit të të dhënave.
Sistemet elektronike dhe regjistrat përkatës do të mbështesin planifikimin, menaxhimin e rasteve, monitorimin dhe vlerësimin e politikave sociale, duke kontribuar në rritjen e transparencës dhe efektivitetit të sistemit.
Projektligji synon gjithashtu digjitalizimin dhe mbrojtjen e të dhënave personale, si dhe rritjen e bashkëpunimit me ofruesit jopublikë, shoqërinë civile, organizatat e personave me aftësi të kufizuara, profesionistët dhe grupet e përfituesve.
Projektligji synon gjithashtu forcimin e mekanizmave të pjesëmarrjes dhe llogaridhënies ndaj përfituesve të shërbimeve.
Në këtë kuadër parashikohen mekanizma për paraqitjen dhe trajtimin e ankesave, vlerësimin e kënaqësisë së përfituesve, si dhe publikimin e informacionit mbi cilësinë dhe performancën e shërbimeve.
Hartimi i projektligjit lidhet edhe me angazhimet e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian, veçanërisht në kuadër të Kapitullit 19 “Politika Sociale dhe Punësimi” dhe reformave që lidhen me mbrojtjen sociale dhe përfshirjen sociale.
Burimi ATSH


















