
Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”, Islam Dudaev në finalen për medaljen e artë në mundje
Mundësi i Shqipërisë, Islam Dudaev, është kualifikuar në finalen për medaljen e artë në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”, në kategorinë deri në 74 kilogramë të stilit të lirë.

Mundësi i Shqipërisë, Islam Dudaev, është kualifikuar në finalen për medaljen e artë në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”, në kategorinë deri në 74 kilogramë të stilit të lirë.
Dudaev zhvilloi një paraqitje të shkëlqyer në sallën sportive “Karol Wojtyla” në Martina Franca, duke fituar tre përballjet e tij në rrugëtimin drejt finales.
Në ndeshjen e parë, sportisti shqiptar mposhti kosovarin Egzon Xhoni me rezultatin 11-2, ndërsa në duelin e dytë triumfoi ndaj grekut Georgios Ioakeimidis me shifrat 10-0.
Në gjysmëfinale, Dudaev siguroi fitoren ndaj Mohammad Mottaghinia dhe preu biletën për finalen e madhe.
Në përballjen për medaljen e artë, Dudaev do të ketë përballë mundësin maqedonas Fati Vejseli, në një duel që do të përcaktojë kampionin e kategorisë -74 kg.
Pas medaljes së bronztë të fituar nga Ardit Zeneli, Islam Dudaev është tashmë sportisti i dytë shqiptar që siguron një medalje në Taranto, ndërsa synimi është medalja e artë për Shqipërinë.
Burimi ATSH


















