
Redion Luli: Kurultai i parë do të jetë prova praktike e reformës kushtetuese në Kazakistan
Eksperti shqiptar analizoi në Tiranë ndikimin e modelit të ri parlamentar dhe rolin e institucioneve në fazën e zbatimit.

Zgjedhjet e para për Kurultain, të parashikuara për më 23 gusht 2026, do të jenë prova e parë praktike e reformës kushtetuese të Kazakistanit. Ky ishte vlerësimi i ekspertit shqiptar të së drejtës ndërkombëtare Dr. Redion Luli gjatë një takimi informues në Ambasadën e Kazakistanit në Tiranë.
Aktiviteti mblodhi përfaqësues të mediave shqiptare, një diplomat të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, ekspertë dhe pjesëtarë të Ambasadës. Ambasadori Iskander Aisariyev përshëndeti të ftuarit, ndërsa Këshilltari Baurzhan Alzhanov paraqiti të dhënat zyrtare mbi Kushtetutën e re dhe procesin zgjedhor.
“Referendumi i 15 marsit përcaktoi arkitekturën e re kushtetuese të Kazakistanit. Zgjedhjet e 23 gushtit do të jenë hapi i parë për ta vënë këtë arkitekturë në funksionim”, tha Luli. Sipas tij, kalimi nga norma juridike te zbatimi praktik është faza më e rëndësishme dhe njëkohësisht më sfiduese e çdo reforme kushtetuese.
Eksperti u ndal te kalimi nga parlamenti me dy dhoma në një parlament njëdhomësh. Ky model, sipas tij, mund ta bëjë më të qartë përgjegjësinë politike, pasi qytetarët do ta kenë më të lehtë të identifikojnë partitë dhe deputetët përgjegjës për ligjet dhe vendimet e miratuara. Një strukturë e vetme mund të thjeshtojë gjithashtu procesin legjislativ.
Megjithatë, Luli paralajmëroi se efikasiteti nuk duhet të matet vetëm me shpejtësinë e miratimit të ligjeve. “Ai duhet të vlerësohet edhe përmes cilësisë së debatit, përfaqësimit të interesave të ndryshme, profesionalizmit të deputetëve dhe kontrollit real ndaj pushtetit ekzekutiv”, theksoi ai.
Kurultai do të përbëhet nga 145 deputetë të zgjedhur për pesë vjet me sistem proporcional në një zonë të vetme kombëtare. Në zgjedhje marrin pjesë shtatë parti me 545 kandidatë. Kuota e përbashkët prej të paktën 30 për qind për gratë, të rinjtë dhe personat me aftësi të kufizuara u vlerësua si një element i rëndësishëm, por Luli nënvizoi se përfaqësimi duhet të gjykohet edhe nga ndikimi real i këtyre kategorive në vendimmarrje.
Sipas tij, kompetencat e Kurultait për miratimin e ligjeve dhe buxhetit, pëlqimin për emërime të rëndësishme dhe mbikëqyrjen e Qeverisë e vendosin institucionin e ri në një pozitë qendrore. Fuqia reale e parlamentit, megjithatë, do të varet nga mënyra se si këto kompetenca ushtrohen.
Luli do të jetë në Astana gjatë periudhës së zgjedhjeve, me ftesë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kazakistanit, si ekspert i huaj dhe komentues për çështjet ndërkombëtare. Ai do të marrë pjesë në diskutime profesionale, takime publike dhe intervista me mediat kazake. “Nuk synoj të parashikoj rezultatin e zgjedhjeve apo të mbështes ndonjë forcë politike. Vëmendja ime do të përqendrohet te organizimi i procesit, pjesëmarrja e qytetarëve, përfaqësimi politik dhe hapat e parë të tranzicionit institucional”, deklaroi ai.
Në përfundim, eksperti theksoi se zgjedhjet nuk janë fundi i reformës. Vlerësimi i plotë do të varet nga puna e Kurultait të parë, cilësia e ligjeve, kontrolli mbi Qeverinë dhe besimi që institucionet e reja do të krijojnë te qytetarët.
Gjatë bashkëbisedimit u trajtua edhe rëndësia e stabilitetit institucional të Kazakistanit për partnerët evropianë dhe për Shqipërinë, veçanërisht në kushtet kur vendi po forcon rolin e tij si urë lidhëse ndërmjet Evropës dhe Azisë përmes tregtisë, energjisë, investimeve dhe Korridorit të Mesëm.



















