
Nesër mbyllen aplikimet për subvencione, mbi 32 mijë aplikime deri tani
Aplikimet kryhen online përmes platformës e-Albania, ndërsa AZHBR u bën thirrje fermerëve të shfrytëzojnë ditën e fundit të afatit për të mos humbur mundësinë e përfitimit nga skema.

Nesër, më datë 26 qershor, përfundon afati i aplikimeve për Skemën Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi 2026, ndërsa Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) bën të ditur se deri tani janë regjistruar rreth 32 300 fermerë që kanë aplikuar për të përfituar nga 12 masat mbështetëse.
Sipas të dhënave të AZHBR-së, interesi i fermerëve në të gjithë vendin ka qenë i lartë, duke reflektuar përfshirje të gjerë në skemat e mbështetjes që synojnë zhvillimin e sektorit bujqësor dhe blegtoral. Ndërsa spikat Fieri, Korça, Berati, Elbasani, Lushnja, Tirana, Vlora me numrin më lartë të aplikantëve.
Skema për këtë vit adreson një fond total prej 52 milionë eurosh dhe përfshin disa risi në mënyrën e financimit, veçanërisht në sektorin e blegtorisë dhe bletarisë.
Ndër masat kryesore përfshihet rritja e pagesës për krerë në blegtori dhe bletari, ulja e pragut minimal të tufave për përfitim, si dhe mbështetja e re për sipërfaqet e mbjella me kultura bujqësore.
AZHBR thekson se për herë të parë është përfshirë edhe mbështetja për mbarështimin e dosave, ndërsa skema e naftës do të zbatohet përmes rimbursimit të 10% të faturave të shitjes.
Nga fondi total, 2,5 miliardë lekë janë të dedikuara për skemën e investimeve, ku përfshihet edhe mbështetja për fermerët e rinj me grante deri në 10 mijë euro.
Aplikimet kryhen online përmes platformës e-Albania, ndërsa AZHBR u bën thirrje fermerëve të shfrytëzojnë ditën e fundit të afatit për të mos humbur mundësinë e përfitimit nga skema.



















