
Dialog i hapur me bizneset austriake për reformat doganore dhe integrimin në BE
Administrata Doganore Shqiptare organizoi sot Forumin Dogana-Biznes, platformë strategjike për dialog të drejtpërdrejtë me përfaqësues të sipërmarrjeve austriake që operojnë në Shqipëri.

Administrata Doganore Shqiptare organizoi sot Forumin Dogana-Biznes, platformë strategjike për dialog të drejtpërdrejtë me përfaqësues të sipërmarrjeve austriake që operojnë në Shqipëri.
Takimi u fokusua te avancimi i reformave doganore për vitin 2026, digjitalizimi i procedurave, përshpejtimi i projektit “Dritarja e vetme doganore” dhe harmonizimi me standardet e Bashkimit Europian, duke synuar një klimë më të parashikueshme dhe transparente për biznesin.
Në fjalën e tij, drejtori i përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, rikonfirmoi angazhimin e Administratës Doganore si një partner i besueshëm i biznesit në procesin drejt standardeve evropiane.
“Ne mbështetemi në parimin e lehtësimit të mëtejshëm të tregtisë së ndershme, përmes digjitalizimit të plotë të shërbimeve dhe thjeshtimit të procedurave. Aktualisht, 100% e shërbimeve për biznesin ofrohen online, duke rritur ndjeshëm shpejtësinë, transparencën dhe duke ulur kohën e procesimit”, u shpreh ai.
Në vijim, Beja prezantoi vizionin për transformimin e plotë digjital dhe institucional të doganave shqiptare, duke theksuar rolin e inteligjencës artificiale në rritjen e efikasitetit dhe saktësisë së kontrollit:
“Synojmë kalimin drejt një administrate doganore parashikuese, të drejtuar nga të dhënat dhe e bazuar në risk. Inteligjenca artificiale do të reduktojë kontrollet e panevojshme dhe do të forcojë luftën kundër kontrabandës dhe mashtrimit fiskal”, u shpreh ai, duke shtuar se tashmë kanë nisur testimet e para të suksesshme në bashkëpunim me AKSHI dhe Microsoft.
Gjithashtu, u bë e ditur se sistemi ASYCUDA do të përditësohet në një version të avancuar me 25 module të reja në përputhje me standardet e BE-së, si dhe do të vijojë procesi i përafrimit të plotë të legjislacionit doganor shqiptar me atë të Bashkimit Europian brenda vitit 2026, në kuadër të Kapitullit 29.
Në forum mori pjesë edhe ambasadorja e Austrisë në Shqipëri, Monika Zach, e cila vlerësoi progresin e Administratës Doganore Shqiptare.
“Forume të tilla krijojnë një urë të drejtpërdrejtë komunikimi mes institucioneve dhe biznesit, duke kontribuar në një mjedis më të parashikueshëm dhe transparent për investitorët e huaj”, theksoi ajo.
Përfaqësuesit e bizneseve austriake vlerësuan rolin e Administratës Doganore si një nga institucionet lider në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, duke theksuar gjithashtu përkushtimin dhe profesionalizmin e stafit doganor, si elementë kyç në përmirësimin e klimës së të bërit biznes në vend.
Administrata Doganore Shqiptare siguron se mbetet e angazhuar për të vijuar dialogun e hapur me komunitetin e biznesit dhe për të avancuar reformat që mbështesin zhvillimin ekonomik dhe integrimin evropian të vendit.
Burimi ATSH



















