BE dritë jeshile për mbylljen e negociatave për Kapitullin 20, konferenca ndërqeveritare më 13 tetor

Kapitulli 20 përfshin politikat dhe instrumentet që synojnë krijimin e një mjedisi më konkurrues, inovativ dhe të qëndrueshëm për biznesin


Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të Shteteve Anëtare të Bashkimit Evropian (COREPER) miratoi zhvillimin e Konferencës Ndërqeveritare Shqipëri–BE, e cila do të mbahet më 13 tetor 2026, në Luksemburg. Në këtë konferencë pritet të formalizohet mbyllja e përkohshme e negociatave për Kapitullin 20 “Ndërmarrjet dhe Politika Industriale”.

Agjencia për Media dhe Informim bën të ditur se, ky vendim shënon një tjetër arritje në rrugën evropiane të Shqipërisë dhe reflekton vlerësimin pozitiv të Komisionit Evropian dhe të shteteve anëtare për rezultatet e reformave në fushën e industrisë dhe sipërmarrjes.

Ai njeh përparimin në përafrimin me politikat dhe standardet evropiane, si dhe forcimin e kapaciteteve për zbatimin efektiv të politikave që mbështesin biznesin, konkurrueshmërinë dhe transformimin industrial.

Kapitulli 20 përfshin politikat dhe instrumentet që synojnë krijimin e një mjedisi më konkurrues, inovativ dhe të qëndrueshëm për biznesin. Në fokus të tij janë mbështetja e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, përmirësimi i klimës së investimeve dhe forcimi i aftësisë së ekonomisë për t’u integruar në Tregun e Vetëm Evropian.

Ky kapitull përfshin gjithashtu masa për inovacionin, digjitalizimin, tranzicionin e gjelbër, zhvillimin e aftësive sipërmarrëse dhe rritjen e produktivitetit të sektorit privat, në përputhje me politikat dhe praktikat më të mira evropiane.

Mbyllja e përkohshme e negociatave për këtë kapitull do të konfirmojë përparimin e Shqipërisë në ngritjen e kuadrit strategjik, institucional dhe rregullator për zbatimin e politikave industriale dhe të zhvillimit të sipërmarrjes, në përputhje me orientimet e Bashkimit Evropian.

Ky rezultat përbën një sinjal të rëndësishëm besimi për investitorët, komunitetin e biznesit dhe partnerët ndërkombëtarë. Për qytetarët dhe bizneset shqiptare, ai krijon perspektiva më të mira për investime, inovacion, rritje ekonomike dhe punësim, duke e afruar ekonominë shqiptare me mundësitë që ofron Tregu i Vetëm Evropian.

Me formalizimin e këtij hapi më 13 tetor, Kapitulli 20 do të jetë kapitulli i katërt i negociatave që Shqipëria mbyll përkohësisht brenda tre muajve.

Vendimi përcjell një mesazh të qartë të mbështetjes politike për ecurinë e Shqipërisë në negociatat e anëtarësimit dhe të besimit në aftësinë e institucioneve shqiptare për të avancuar me ritëm të qëndrueshëm drejt objektivit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian brenda kësaj dekade.

Shqipëria mbetet e angazhuar për të vijuar reformat me të njëjtin vullnet dhe përkushtim, në bashkëpunim të ngushtë me institucionet evropiane dhe shtetet anëtare.

/Marrë nga ATSH

Lexo më shumë nga

Rama në Forumin e Paqes në Paris, takim dypalësh me Macron

Kryeministri Rama po merr pjesë në Forumin e Paqes në Paris, me ftesë të presidentit të Francës, Emmanuel Macron.

Global 360

Kosova dhe Italia konfirmojnë partneritetin në fusha me interes të përbashkët

Presidentja Justina Shiroka-Pula priti ambasadorin e Italisë në Kosovë, Maurizio Antonini

Diplovista

Rama për “Kathimerini”: Nuk do të jap dorëheqjen, një pakicë po i vë flakën vendit

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në një intervistë për gazetën greke “Kathimerini” se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen, pavarësisht…

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Kur feja bëhet instrument gjeopolitik: Kosova përtej simbolikës fetare

Një përgjigje ndaj Albatros Rexhajt. "Pse feja nuk duhet të bëhet busull e orientimit gjeopolitik të Kosovës".

Profil

MILANO 2026 – BBC: Lara Colturi, skiatorja që po bën Shqipërinë krenare

Lara Colturi është vetëm 19 vjeçe, por ajo mund të bëjë historinë olimpike duke u bërë medalistja e parë e…

Masmedia

Rama në Forumin e Paqes në Paris, takim dypalësh me Macron

Kryeministri Rama po merr pjesë në Forumin e Paqes në Paris, me ftesë të presidentit të Francës, Emmanuel Macron.