
“Mimoza Llastica”, një klasik i kinemasë shqiptare rikthehet përmes restaurimit digjital
Filmi i regjisores Xhanfize Keko dhe skenar të Nasho Jorgaqit, u realizua në vitin 1973, me aktorët Zhaklina Dhimojani, Violeta Manushi, Pavlina Mani, Teuta Doçi etj.

Kryeministri Edi Rama përcolli në rrjetet sociale një fragment nga filmi “Mimoza llastica”, restaurimi i të cilit ka përfunduar rishtazi.
“Pas 53 vitesh, Filmi “Mimoza llastica” u rikthye aty ku e meriton, në ekranin e madh, restauruar në 4K. Restaurimi u realizua mbi bazën e materialeve origjinale të ruajtura nga Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit”, shkroi kryeministri Rama.
Filmi i regjisores Xhanfize Keko dhe skenar të Nasho Jorgaqit, u realizua në vitin 1973, me aktorët Zhaklina Dhimojani, Violeta Manushi, Pavlina Mani, Teuta Doçi etj.
Premiera e filmit të restauruar u shfaq ditën e fundit të Tirana International Film Festival (TIFF).
“Mimoza llastica” vijon të mbetet një prej veprave më të dashura të kinemasë shqiptare për fëmijë. E konsideruar një nga figurat themelore të kinematografisë shqiptare dhe një prej regjisoreve më të rëndësishme të filmit për fëmijë, Xhanfize Keko ka sjellë përmes këtij filmi një gjuhë të sinqertë, të ndjeshme dhe të afërt me botën e fëmijëve, e cila ka vijuar të komunikojë me breza të ndryshëm shikuesish. Ashtu si “Tomka dhe shokët e tij”, historia e Mimozës është kthyer ndër vite në pjesë të kujtesës së shumë brezave, duke ruajtur vendin e saj në fondin e artë të kinemasë shqiptare.
Rikthimi i kësaj vepre te publiku është bërë i mundur falë nismës së Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, “Adopto një film për restaurim”. Restaurimi është realizuar nga Augustus Color, Romë, mbi bazën e elementeve origjinale të filmit të ruajtura në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit.
Filmi ka muzikën e kompozitorëve të mirënjohur Robert Radoja dhe Aleksandër Lalo.



















