
Xhemali takim me shoqëritë e sigurimit për projektligjin “Për veprimtarinë e sigurimit dhe risigurimit”
Kërkesat për kapital të shoqërive të sigurimit do të bazohen në profilin e rrezikut të veprimtarisë së tyre, ndërsa shpërndarja e produkteve të sigurimit do t’u nënshtrohet kërkesave të përforcuara për mbrojtjen e konsumatorit.

Kërkesat për kapital të shoqërive të sigurimit do të bazohen në profilin e rrezikut të veprimtarisë së tyre, ndërsa shpërndarja e produkteve të sigurimit do t’u nënshtrohet kërkesave të përforcuara për mbrojtjen e konsumatorit.
Këto janë dy prej ndryshimeve kryesore që parashikon projektligji “Për veprimtarinë e sigurimit dhe risigurimit”, i prezantuar në takimin e Drejtoreshës së Përgjithshme Ekzekutive të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Adela Xhemali dhe përfaqësuesit e Bankës Botërore, në tryezë me drejtues të shoqërive të sigurimit. Projektligji synon përafrimin me kuadrin evropian Solvency II dhe Direktivën për Shpërndarjen e Sigurimeve (IDD).
Në fjalën e saj, drejtoresha e përgjithshme ekzekutive e AMF-së e vuri theksin te përgatitja e tregut për zbatimin e reformës.
“Kjo reformë nuk duhet parë vetëm në dimensionin e përmbushjes së detyrimeve që burojnë nga procesi i integrimit evropian. Për Autoritetin, ajo përbën një mundësi për të forcuar më tej qëndrueshmërinë e tregut të sigurimeve, standardet e qeverisjes, administrimin e rreziqeve, transparencën dhe mbrojtjen e konsumatorëve”, theksoi Xhemali, duke nënvizuar nevojën për angazhim, planifikim dhe bashkëpunim të vazhdueshëm ndërmjet Autoritetit dhe industrisë së sigurimeve.
Gjatë prezantimit të draftligjit, Timo Broszeit eksperti i Bankës Botërore theksoi se, Solvency II e vendos qeverisjen korporative në thelb të regjimit të ri.
“Administrimi i rrezikut duhet të jetë pjesë e vendimmarrjes strategjike të shoqërisë, duke rritur përgjegjësinë e organeve drejtuese për qëndrueshmërinë financiare dhe mbrojtjen e të siguruarve”, tha ai.
Xhemali vlerësoi mbështetjen e Bankës Botërore me financim të SECO të qeverisë zviceriane që kanë asistuar Autoritetin gjatë procesit të hartimit të projektligjit, për ekspertizën dhe kontributin e tyre, në përgatitjen e një kuadri ligjor të përafruar me kërkesat evropiane, si dhe kontributin në adresimin e çështjeve që lidhen me zbatimin e tij në kontekstin e tregut shqiptar të sigurimeve.
Përfaqësuesit e tregut të sigurimeve, diskutuan mbi pritshmëritë e tyre nga ky process, shkëmbimin e eksperiencave me shoqëritë që kanë avancuar në këtë drejtim si pjesë e grupeve ndëkombëtare, si dhe angazhimin për mbështjetjen e kësaj reforme me fokus tek ngritja e kapaciteteve dhe digjitalizimi.
Marrë nga ATSH



















