
Spahiu: Dyert e Ministrisë së Shëndetësisë janë dhe do të mbeten të hapura për qytetarët
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, reagoi sot lidhur me rastin e qytetarit Albi Sula, duke deklaruar se ai është pritur personalisht në zyrën e saj dhe se rasti i tij shëndetësor është ndjekur nga strukturat shëndetësore.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, reagoi sot lidhur me rastin e qytetarit Albi Sula, duke deklaruar se ai është pritur personalisht në zyrën e saj dhe se rasti i tij shëndetësor është ndjekur nga strukturat shëndetësore.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Spahiu tha se së bashku me nënën e qytetarit ka diskutuar për problematikën shëndetësore dhe rrugëtimin e trajtimit, si dhe për hapat e mëtejshëm që do të ndiqen nga strukturat shëndetësore dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.
“Qytetari për të cilin pretendohet se nuk është pritur, ka qenë dje në zyrën time, përballë meje dhe nënës së tij”, deklaroi Spahiu.
Ajo bëri të ditur se qytetari është trajtuar dhe ndjekur nga mjekët e Spitalit Onkologjik në QSUT, sipas nevojave dhe protokolleve mjekësore.
Sipas ministres, në zbatim të procedurave administrative dhe kontratës me spitalin përkatës, rasti është referuar për ndjekje të mëtejshme në Turqi.
Spahiu u shpreh se kritikat politike janë legjitime, por një problem shëndetësor, sipas saj, nuk duhet të përdoret për të ngritur akuza që nuk përputhen me faktet.
“Për mua, përpara çdo debati politik është qytetari dhe halli i tij”, shkroi ministrja.
Ajo theksoi se dyert e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale janë të hapura për qytetarët, për të dëgjuar problematikat, për të dhënë sqarime dhe për të kërkuar zgjidhje, aty ku është e mundur.
“Sepse Prania Besnike nuk është slogan. Është përgjegjësi ndaj qytetarit”, përfundoi Spahiu.
Burimi ATSH


















