
Pirdeni: Performanca e institucioneve publike do të matet me rezultate konkrete, jo me perceptime
Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni sjell në vëmendje se performanca e institucioneve publike do të matet me rezultate konkrete, jo me perceptime.

Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni sjell në vëmendje se performanca e institucioneve publike do të matet me rezultate konkrete, jo me perceptime.
Pirdeni deklaron se “me sistemin e ri të matjes së performancës, vlerësimi do të bazohet te rezultatet dhe cilësia e shërbimeve të ofruara”.
Sipas saj, nëse një institucion publik po jep rezultate apo nuk po performon, do të kuptohet me matje dhe jo me perceptime.
“Me ndryshimet e fundit të ligjit për administratën shtetërore krijuam një sistem tërësisht të ri të matjes së performancës së institucioneve publike. Të gjitha institucionet që u shërbejnë çdo ditë qytetarëve do të vlerësohen mbi bazën e rezultateve konkrete në punë përmes një platforme tërësisht të dixhitalizuar”, shprehet ministrja.
Gjithashtu, Pirdeni nënvizon se “të gjitha rezultatet e vlerësimit do jenë publike për qytetarët në mënyrë që të gjithë të informohen por dhe institucionet të mbajnë përgjegjësi të drejtpërdrejtë sepse vetëm shërbimi që matet mund të përmirësohet”.
Modeli i ri i organizimit dhe forcimit të llogaridhënies së institucioneve publike, miratuar në korrik në Kuvend, është një hap i rëndësishëm drejt afrimit të administratës shqiptare me standardet më të mira evropiane dhe përmbushjes së piketave mbyllëse të negociatave në fushën e Reformës në Administratën Publike.
Pas 14 vitesh zbatim, ndryshimet në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore” sjellin një modernizim të thellë të administratës, me fokus te efikasiteti, transparenca dhe llogaridhënia.
Ndër risitë kryesore të reformës janë vendosja e një sistemi të unifikuar për monitorimin e performancës në administratën shtetërore, riorganizimi i institucioneve joministrore në institucione varësie dhe agjenci autonome si dhe forcimi i rolit të drejtorive të përgjithshme si niveli më i lartë i vendimmarrjes për proceset rutinore dhe menaxhimin e politikave publike.
Gjithahstu, një tjetër risi e këtyre ndryshimeve është vendosja e rregullave të qarta për rekrutimin dhe largimin nga puna në institucionet që ofrojnë shërbime të drejtpërdrejta për qytetarët, përfshirë spitalet, shkollat dhe institucionet sociale.
Këto ndryshime e afrojnë administratën shqiptare me standardet evropiane dhe kontribuojnë në përmbushjen e objektivit për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian në vitin 2030.
Marrë nga ATSH



















