
Lamallari me prefektët e 12 qarqeve: Komunikim më profesional dhe zgjidhje konkrete për qytetarët
Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, theksoi rëndësinë e komunikimit profesional dhe të shpejtë të administratës publike me qytetarët, duke kërkuar që çdo shqetësim apo kërkesë për informacion të marrë vëmendjen e duhur.

Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, theksoi rëndësinë e komunikimit profesional dhe të shpejtë të administratës publike me qytetarët, duke kërkuar që çdo shqetësim apo kërkesë për informacion të marrë vëmendjen e duhur.
Në takimin që zhvilloi me Prefektët e 12 qarqeve të vendit, Lamallari përcolli porositë e Kryeministrit Edi Rama për rritjen e standardeve të komunikimit me qytetarët.
“Shumë qytetarë i drejtohen institucionit të Prefektit, çdo ditë në kërkim të shërbimeve të ndryshme apo një përgjigjeje”, u shpreh Lamallari.
Sipas ministrit, çdo punonjës në shërbim të qytetarëve duhet të garantojë një komunikim “sa më profesional, korrekt, të besueshëm dhe të shpejtë”.
“Çdo shqetësim apo kërkesë për informacion i qytetarëve meriton vëmendje dhe ne kemi detyrimin të përgjigjemi dhe japim zgjidhje”, theksoi ai.
Lamallari nënvizoi se besimi i qytetarëve te institucionet ndërtohet përmes dëgjimit dhe zgjidhjeve konkrete.
“Besimi ndërtohet aty ku qytetari ndihet i dëgjuar dhe ku institucionet veprojnë me zgjidhje konkrete”, deklaroi ministri.
Ai shtoi se ky standard duhet të udhëheqë punën e çdo punonjësi të administratës publike në të gjithë vendin.
Marrë nga ATSH



















