
Inspektorati i Përgjithshëm, 106 mbikëqyrje dhe 400 ankesa të administruara
Të dhënat u bënë publike në takimin e punës të zhvilluar nga Inspektori i Përgjithshëm, Dashnor Sula, me kryeinspektorët dhe drejtorët e përgjithshëm të inspektorateve qendrore.

106 mbikëqyrje të procedurave të inspektimit dhe rreth 400 praktika ankimore janë administruar gjatë periudhës 15 korrik–24 gusht, ndërsa 48 pozicione janë plotësuar në administratën inspektuese gjatë muajve mars–gusht.
Të dhënat u bënë publike në takimin e punës të zhvilluar nga Inspektori i Përgjithshëm, Dashnor Sula, me kryeinspektorët dhe drejtorët e përgjithshëm të inspektorateve qendrore, në vijim të analizës dyditore të zhvilluar në Pogradec me thirrjen e Kryeministrit Edi Rama.
Takimi u fokusua në forcimin e bashkërendimit institucional, standardizimin e veprimtarisë inspektuese dhe zbatimin e kuadrit të ri ligjor për inspektimin në Republikën e Shqipërisë.
Sula theksoi nevojën për forcimin e ligjshmërisë, transparencës dhe përgjegjshmërisë në veprimtarinë inspektuese, si dhe për orientimin e administratës drejt rezultateve konkrete për qytetarët dhe bizneset.
Në takim u nënvizua gjithashtu rëndësia e trajtimit efektiv të ankesave dhe përdorimit të të dhënave të tyre në analizën e riskut dhe planifikimin e inspektimeve.
Ndër prioritetet për periudhën në vijim janë unifikimi i praktikave inspektuese, respektimi rigoroz i procedurave, dokumentimi i plotë i veprimeve dhe vendimmarrjeve, forcimi i meritokracisë në rekrutime dhe rritja e përgjegjshmërisë së trupave inspektuese.
Inspektorati i Përgjithshëm do të vijojë takimet periodike me drejtuesit e inspektorateve qendrore dhe rajonale, ndërsa do të intensifikohet bashkëpunimi për shkëmbimin e informacionit, adresimin e problematikave dhe standardizimin e praktikave.
Synimi është ndërtimi i një sistemi inspektimi profesional, transparent dhe të unifikuar, të orientuar drejt rezultateve dhe në shërbim të qytetarëve, bizneseve dhe interesit publik.
/Marrë nga ATSH


















