
Ndreu: 10 vatra zjarri në Lezhë, të hetohet zjarrvënia e qëllimshme
Kryetari i bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu u bëri thirrje banorëve që, përveç kujdesit maksimal, të denoncojnë pranë autoriteteve çdo rast apo person që identifikohet duke shkaktuar zjarr.

Vetëm ditën e djeshme në territorin e bashkisë Lezhë u regjistruan 10 vatra zjarri.
Kryetari i bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu u bëri thirrje banorëve që, përveç kujdesit maksimal, të denoncojnë pranë autoriteteve çdo rast apo person që identifikohet duke shkaktuar zjarr.
“Shërbimi i Zjarrfikësve u përball dje me 10 vatra zjarri në zona të ndryshme të Lezhës. Për t’u veçuar është fakti se rreth orës 21:00–22:00 u regjistruan 5 vatra zjarri njëkohësisht, çka ngre dyshime serioze se mund të kemi të bëjmë me zjarrvënie të qëllimshme apo veprime të koordinuara”, tha Ndreu.
Kjo, sipas tij, duhet të hetohet dhe të sqarohet nga organet kompetente.
“Indiferenca, përhapja e helmit dhe akuzat e pabazuara për mosveprim më pas nuk e zgjidhin problemin. Përballë një situate të tillë kërkohet përgjegjshmëri dhe bashkëpunim, sepse pasojat mund të jenë fatale”, theksoi ai.
Marrë nga ATSH


















