
Mbi 400 pacientë të huaj u kuruan në QSUT në 6 muajt e parë të vitit
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ndau sot në rrjetet sociale përshtypjet e pacientëve të huaj që janë kuruar në QSUT.

Në 6-mujorin e parë të vitit 2026, mbi 400 pacientë të huaj kanë zgjedhur Qendrën Spitalore Universitare “nënë Tereza” për të marrë shërbim shëndetësor në Shqipëri.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ndau sot në rrjetet sociale përshtypjet e pacientëve të huaj që janë kuruar në QSUT.
“Edhe kur një udhëtim kthehet papritur në një moment të vështirë shëndetësor, ata gjejnë në sistemin tonë shëndetësor profesionistë, teknologji dhe kapacitete për t’u përballur me nevojat e tyre. Ky është një tregues i rëndësishëm i rritjes së cilësisë, kapaciteteve dhe besimit ndaj shërbimeve shëndetësore publike shqiptare. Nga urgjenca te diagnostikimi dhe trajtimi i specializuar, objektivi ynë është i qartë: një sistem spitalor që ofron standarde të larta për çdo pacient, vendas apo të huaj”, thekson MSHMS.
Pacienti turk Engin Ozcan tha se prej tre muajsh jeton në Shqipëri.
“Një natë erdha në urgjencë për shkak të dhimbjeve në kraharor dhe mendoj se falë vëmendjes dhe profesionalizmit të mjekëve të urgjencës jam gjallë sot. Ata u kujdesën për mua në mënyrën më të mirë të mundshme dhe kryen të gjitha analizat dhe ekzaminimet e nevojshme. Besoj se falë përkushtimit dhe kujdesit të tyre jam sot në këmbë”, tha ai.
Bashkëshortja e tij Ozlem tha se “tre netë më parë bashkëshorti im u sëmur papritur dhe erdhëm në urgjencë. Ndihem sikur i detyrohemi shumë mjekëve të urgjencës, pasi falë tyre ai është mirë sot. Më pas u transferuam në repartin e kardiologjisë ku mjekët u kujdesën për ne në një mënyrë të jashtëzakonshme. U befasova nga kujdesi dhe përkushtimi i tyre dhe u jam shumë mirënjohëse”, tha ajo.
Duke falënderuar mjekët dhe infermierët Ozlem tha se “ajo që më bëri më shumë përshtypje është se nuk u sollën kështu vetëm me ne, por me të gjithë pacientët”.
Ndërsa një 71-vjeçar nga Amerika tha se “ishim në Shkodër kur po pija kafen dhe pësova arrest kardiak. Bashkëshortja ime njoftoi ambulancën ata erdhën menjëherë dhe kur kuptuan që kisha arrest kardiak më sollën menjëherë në këtë spital në Tiranë dhe nuk mund të shkonte më mirë se kaq”.
“Doktorët ndërhynë përmes venave dhe me vendosën stenda në enët e gjakut. Tashmë për 2-3 javë nuk mund të udhëtoj me avion, por do të kthehem për të vijuar pushimet. Doktori ishte fenomenal po ashtu ishte çdo kirurg që kam folur këto ditë këtu”, tha ai.
Një tjetër pacient tha se “kishim ardhur për pushime në Shqipëri. Gjatë pushimeve pata një shtrëngim në gjoks dhe ambulanca më solli në këtë spital. Këtu kuptuam se po kaloja një infarkt në zemër. Për pesë ditë më janë bërë të gjitha ekzaminimet e nevojshme dhe iu nënshtrova edhe angiografisë. Mjekët vendosën dy stenda në arteriet e zemrës time. Tani jam më mirë. Përveç kësaj jam jashtëzakonisht i kënaqur dhe madje i surprizuar nga kujdesi”.
Burimi ATSH



















