Projektligj i ri për prokurimet në mbrojtje dhe siguri, risi nga ankandi elektronik te siguria e furnizimit

Ministria e Mbrojtjes ka hedhur për konsultim publik projektligjin e ri “Për prokurimet në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë”, një nismë që synon të zëvendësojë ligjin nr. 36/2020 dhe të krijojë një kuadër më të plotë për prokurimet në sektorin e mbrojtjes dhe sigurisë.


Ministria e Mbrojtjes ka hedhur për konsultim publik projektligjin e ri “Për prokurimet në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë”, një nismë që synon të zëvendësojë ligjin nr. 36/2020 dhe të krijojë një kuadër më të plotë për prokurimet në sektorin e mbrojtjes dhe sigurisë.

Sipas relacionit shpjegues, projektligji është rikonceptuar si një ligj i ri, pasi ndërhyrjet e nevojshme në kuadrin ekzistues prekin më shumë se 50% të përmbajtjes së ligjit në fuqi. Nisma është hartuar duke marrë në konsideratë komentet e shërbimeve të Komisionit Evropian dhe gjetjet e SIGMA-s, në kuadër të vlerësimit të përputhshmërisë së legjislacionit shqiptar me Direktivën 2009/81/KE.

Projektligji synon të rregullojë në mënyrë të integruar prokurimet për pajisje ushtarake e sensitive, punë, mallra dhe shërbime që lidhen me to gjatë ciklit të tyre jetësor, si dhe punë e shërbime për qëllime specifike ushtarake ose sensitive.

Një nga ndryshimet lidhet me fushën e zbatimit dhe terminologjinë. Neni 4 parashikon 36 përkufizime, kundrejt 30 në ligjin aktual, duke përfshirë koncepte si “ankandi elektronik”, “blerjet civile”, “entet kontraktore”, “organi qendror blerës”, “pajisjet sensitive” dhe “procedura e thjeshtuar e prokurimit”.

Projektligji kufizon edhe përjashtimet nga zbatimi i ligjit, të cilat duhet të jenë të përcaktuara shprehimisht dhe të interpretohen në mënyrë kufizuese. Ndër ndryshimet kryesore është heqja e përjashtimeve të përgjithshme për prokurimet në raste krizash ose situatash ekstreme të sigurisë kombëtare, si dhe për pajisjet ushtarake, armët, municionet dhe materialet luftarake.

Një kapitull i rëndësishëm i kushtohet sigurisë së informacionit të klasifikuar dhe sigurisë së furnizimit. Kur një kontratë përmban ose kërkon informacion të klasifikuar, kërkesat për sigurinë duhet të përcaktohen që në dokumentet e tenderit dhe të shtrihen edhe te nënkontraktorët. Parashikohet gjithashtu njohja e certifikatave dhe autorizimeve ekuivalente të sigurisë të lëshuara nga autoritetet shqiptare, NATO, vendet anëtare të BE-së apo shtete me të cilat Shqipëria ka marrëveshje sigurie.

Një risi është krijimi i tre kategorive të kufijve monetarë: kufiri i lartë, kufiri i ulët dhe kufiri për procedurën e thjeshtuar të prokurimit. Vlerat konkrete do të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Për kontratat nën kufirin e ulët parashikohet procedura e thjeshtuar, e cila nuk ekziston si procedurë e posaçme në ligjin nr. 36/2020. Edhe kjo procedurë duhet të respektojë transparencën, barazinë, mosdiskriminimin, konkurrencën, proporcionalitetin, sigurinë e informacionit dhe sigurinë e furnizimit.

Në projektligj përcaktohen procedura e kufizuar, negocimi me shpallje paraprake, negocimi pa shpallje paraprake, dialogu konkurrues, marrëveshjet kuadër dhe procedura e thjeshtuar. Negocimi pa shpallje paraprake lejohet vetëm në raste të përcaktuara, përfshirë mungesën e ofertave të përshtatshme, urgjencën e shkaktuar nga krizat ose rrethana të paparashikueshme, si dhe rastet kur kontrata mund të realizohet vetëm nga një operator për arsye teknike ose të drejtash ekskluzive.

Projektligji sjell edhe ankandin elektronik, i cili mund të përdoret pas vlerësimit fillestar të ofertave. Kur kriteri është çmimi më i ulët, ankandi zhvillohet mbi çmimin, ndërsa për ofertën ekonomikisht më të favorshme mund të merren në konsideratë karakteristika të tjera të matshme. Identiteti i ofertuesve nuk bëhet publik gjatë ankandit.

Në lidhje me afatet, projektligji parashikon mundësi për shkurtimin e tyre përmes njoftimit paraprak të informacionit dhe përdorimit të mjeteve elektronike. Në raste të caktuara, afati për ofertat mund të shkurtohet deri në 36 ditë, por jo nën 22 ditë. Autoriteti ose enti kontraktor duhet të informojë brenda 7 ditëve kandidatët dhe ofertuesit për arsyet e refuzimit dhe, për ofertat e pranueshme, për karakteristikat dhe avantazhet relative të ofertës fituese.

Një tjetër mekanizëm është njoftimi vullnetar për transparencë paraprake, për kontratat që synohen të jepen pa shpallje paraprake. Pas publikimit të këtij njoftimi duhet të respektohet një periudhë prej të paktën 10 ditësh kalendarike përpara lidhjes së kontratës.

Për përcaktimin e fituesit ruhet alternativa mes çmimit më të ulët dhe ofertës ekonomikisht më të favorshme. Në këtë të fundit mund të vlerësohen cilësia, çmimi, karakteristikat teknike e mjedisore, kostot gjatë ciklit jetësor, siguria e furnizimit dhe ndërveprueshmëria. Projektligji përcakton gjithashtu kritere për skualifikimin, përfshirë dënimet për korrupsion, mashtrim, pastrim parash, financim terrorizmi, shkeljet tatimore, si dhe cenimin e kërkesave për sigurinë e informacionit dhe furnizimit.

Për nënkontraktimin, kufiri maksimal parashikohet deri në 30% të vlerës së kontratës. Nënkontraktorët duhet të miratohen paraprakisht dhe të vlerësohen mbi kritere objektive, ndërsa përgjegjësia për zbatimin e plotë të kontratës mbetet te operatori ekonomik kryesor.

Edhe sistemi i ankimit administrativ riformulohet. Për procedurat mbi kufirin e lartë monetar afati i ankimit është 10 ditë, ndërsa për procedurat nën këtë kufi 7 ditë. Paraqitja e ankesës pezullon procedurën deri në vendimmarrjen e Komisionit të Prokurimit Publik. Periudha e pritjes për lidhjen e kontratës është 10 ditë për procedurat mbi kufirin e lartë dhe 7 ditë për procedurat nën këtë kufi dhe për prokurimet e thjeshtuara.

KPP mund të urdhërojë korrigjimin e shkeljeve, anulimin e vendimeve të paligjshme, ndryshimin e specifikimeve diskriminuese ose anulimin e procedurës. Vendimet duhet të zbatohen brenda 10 ditëve nga njoftimi.

Projektligji parashikon edhe pavlefshmërinë e kontratave në raste të caktuara. Kërkesa mund të paraqitet brenda 30 ditëve në rastet e përcaktuara për dhënien e kontratës pa njoftim paraprak, ndërsa në raste të tjera afati shkon deri në gjashtë muaj. Në raste të jashtëzakonshme mund të ruhet efekti i kontratës për arsye të interesit të përgjithshëm, me mundësi gjobe deri në 10% të vlerës së saj ose shkurtimit të kohëzgjatjes.

Autoriteti i Prokurimit Publik do të ketë kompetencë për hetim administrativ pas lidhjes së kontratës, deri në tre vjet nga data e nënshkrimit. Për shkeljet administrative parashikohen gjoba nga 20 mijë, deri në 500 mijë lekë.

Sipas relacionit, projektligji synon përafrimin e mëtejshëm me acquis të BE-së dhe është hartuar në bashkëpunim me Agjencinë e Prokurimit Publik, Komisionin e Prokurimit Publik, Byronë Kombëtare të Hetimit, Autoritetin Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar dhe strukturat përgjegjëse në Ministrinë e Mbrojtjes, duke marrë në konsideratë komentet e Komisionit Evropian dhe raportin e SIGMA-s.

Burimi ATSH

Lexo më shumë nga

Hoxha: Muzeu Besa në Tiranë dhe ai hebraik në Vlorë, projekte për forcimin e miqësisë Shqipëri-Izrael

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, gjatë një deklarate të përbashkët me homologun izraelit, Gideon Sa’ar, theksoi…

Global 360

Presidentja Shiroka Pula nderon Adem Jasharin, Ibrahim Rugovën dhe Adem Demaçin

Presidentja Shiroka Pula theksoi se nderimi i këtyre figurave është edhe një rikujtim i themeleve mbi të cilat është ndërtuar…

Diplovista

Linda Rama intervistë për “Fortune Greece”: Nga qëndrueshmëria tek konkurrueshmëria, narrativa e re e rritjes për Ballkanin Perëndimor

Në intervistën e saj për “Fortune Greece”, Linda Rama thekson se sot, pyetja për rajonin e Ballkanit Perëndimor është nëse…

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Kur feja bëhet instrument gjeopolitik: Kosova përtej simbolikës fetare

Një përgjigje ndaj Albatros Rexhajt. "Pse feja nuk duhet të bëhet busull e orientimit gjeopolitik të Kosovës".

Profil

MILANO 2026 – BBC: Lara Colturi, skiatorja që po bën Shqipërinë krenare

Lara Colturi është vetëm 19 vjeçe, por ajo mund të bëjë historinë olimpike duke u bërë medalistja e parë e…

Masmedia

Hoxha: Muzeu Besa në Tiranë dhe ai hebraik në Vlorë, projekte për forcimin e miqësisë Shqipëri-Izrael

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, gjatë një deklarate të përbashkët me homologun izraelit, Gideon Sa’ar, theksoi…