
Kreu i FA-së gjermane: Shqipëria aleate e besueshme, të forcojmë shtyllën evropiane të NATO-s
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura gjenerallejtënant Arben Kingji, mirëpriti në një vizitë zyrtare shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura të Gjermanisë, gjeneral Carsten Breuer.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura gjenerallejtënant Arben Kingji, mirëpriti në një vizitë zyrtare shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura të Gjermanisë, gjeneral Carsten Breuer.
Vizita konfirmon nivelin e lartë të marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë dhe Gjermanisë, si aleate në NATO, si edhe angazhimin e përbashkët për forcimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
Gjatë takimit zyrtar, gjenerallejtënant Kingji njohu homologun e tij mbi zhvillimet më të fundit të Forcave të Armatosura, me fokus në prioritetet kryesore të zhvillimit të kapitalit njerëzor, forcimit të sistemit të arsimimit dhe edukimit ushtarak, modernizimin e kapaciteteve dhe rritjes së ndërveprueshmërisë me aleatët.
Në fjalën e tij, gjenerallejtënant Kingji shprehu mirënjohjen dhe vlerësimin më të lartë për mbështetjen e vazhdueshme që Gjermania i ka dhënë vendit tonë, si në procesin e integrimit europian, ashtu edhe në forcimin e kapaciteteve të mbrojtjes.
Ai vlerësoi kontributin e çmuar të Gjermanisë ndaj Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në fushën e arsimit dhe edukimit ushtarak, stërvitjeve, zhvillimit të kapaciteteve dhe rritjes së ndërveprueshmërisë me aleatët.
Ky partneritet i vyer ka kontribuar ndjeshëm në rritjen e gatishmërisë, profesionalizmit dhe modernizimit të Forcave tona të Armatosura dhe mbetet një shtyllë e rëndësishme e bashkëpunimit tonë strategjik dhe e angazhimit të përbashkët për sigurinë dhe stabilitetin rajonal e euroatlantik.
Nga ana e tij, gjeneral Breuer u shpreh se “Gjermaninë dhe Shqipërinë i lidh një partneritet i gjatë dhe i ngushtë ushtarak. Që nga anëtarësimi i Shqipërisë në NATO në vitin 2009, ky partneritet është forcuar vazhdimisht. Sot ai është më i rëndësishëm se kurrë. Shqipëria është një aleate e besueshme. Sidomos në situatën aktuale të sigurisë, besueshmëria ka një rëndësi vendimtare. Nuk është madhësia e forcave të armatosura ajo që përcakton vlerën e një aleati. Vendimtare janë gatishmëria operacionale, besueshmëria dhe kontributi konkret për sigurinë tonë të përbashkët. Pikërisht këto vlera përfaqëson Shqipëria”.
Dy shefat e Shtabit biseduan mbi zhvillimet në mjedisin e sigurisë rajonale dhe ndërkombëtare, duke vlerësuar se sfidat aktuale, nga konfliktet konvencionale te kërcënimet hibride dhe ato kibernetike kërkojnë koordinim më të madh, investime të qëndrueshme në mbrojtje dhe forcim të mëtejshëm të gatishmërisë së Aleancës.
Palët rikonfirmuan rëndësinë strategjike të stabilitetit në Ballkanin Perëndimor. Gjenerallejtënant Kingji vuri theksin në angazhimin e Shqipërisë për të kontribuar në forcimin e sigurisë dhe mbrojtjes kolektive në kuadër të NATO-s.
Në kuadër të vizitës zyrtare, gjeneral Carsten Breuer mbajti një fjalim për kursantët dhe stafin akademik të Kolegjit të Mbrojtjes dhe Sigurisë, stafin akademik të Akademisë së Forcave të Armatosura dhe të ftuar të tjerë në radhët e Forcave të Armatosura.
Në fjalën e tij të mirëseardhjes, gjenerallejtënant Kingji vlerësoi praninë dhe lidershipin e homologut gjerman, duke theksuar rëndësinë e partneritetit strategjik ndërmjet dy vendeve.
“Gjermania është një aleate e besueshme dhe një partnere shumë e çmuar. Si një nga aleatët kryesorë evropianë të NATO-s, ajo jep një kontribut thelbësor në mbrojtjen kolektive, shkurajimin dhe rritjen e gatishmërisë së Aleancës. Ne e vlerësojmë lart mbështetjen që Gjermania i ka dhënë Forcave të Armatosura të Shqipërisë në fushën e arsimimit profesional ushtarak, stërvitjes, ushtrimeve të përbashkëta dhe zhvillimit të kapaciteteve. Ky bashkëpunim forcon gatishmërinë tonë, rrit ndërveprueshmërinë dhe mbi të gjitha, kontribuon në formimin e liderëve që do të udhëheqin Forcat tona të Armatosura në të ardhmen. Njëkohësisht, Shqipëria mbetet një kontribuuese aktive në operacionet e NATO-s dhe të Bashkimit Evropian, duke dhënë një kontribut të vazhdueshëm për sigurinë kolektive dhe stabilitetin rajonal”, tha kreu i FA-së.
Në fjalën e tij para audiencës, gjeneral Breuer theksoi se “Shqipëria luan një rol të rëndësishëm si faktor stabiliteti në Evropën Juglindore. Si një aleate e qëndrueshme, e besueshme dhe plotësisht e integruar në NATO, Shqipëria forcon rajonin, Aleancën dhe, në këtë mënyrë, sigurinë evropiane. Pikërisht për këtë arsye dialogu dhe bashkëpunimi ynë kanë një rëndësi të veçantë. Ky bashkëpunim duhet të mbështetet në kërkesa konkrete ushtarake dhe të sjellë rezultate të prekshme. Objektivi ynë i përbashkët është i qartë: të forcojmë shtyllën evropiane të NATO-s – përmes unitetit, forcimit të kapaciteteve ushtarake, kontributeve konkrete ushtarake dhe bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet aleatëve, partnerëve dhe miqve të besueshëm”.
Gjatë agjendës së vizitës së tij, gjeneral Breuer u prit në një takim zyrtar edhe nga ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi.
Marrë nga ATSH


















