Costa: Shqipëria përmbushi piketat e ndërmjetme për çështjet themelore, integrimi hyn në fazë më kërkuese

Presidenti i Këshillit Europian, António Costa, vlerësoi sot progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian dhe ritheksoi mbështetjen e Bashkimit Evropian për zgjerimin.


Presidenti i Këshillit Europian, António Costa, vlerësoi sot progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian dhe ritheksoi mbështetjen e Bashkimit Evropian për zgjerimin.

Në një konferencë të përbashkët me Kryeministrin Edi Rama në Kryeministri, Costa vlerësoi angazhimin e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në BE.

“Sot vlerësoj dhe përgëzoj vendosmërinë e Shqipërisë dhe përpjekjet e saj për t’u bërë shtet anëtar i BE-së dhe në veçanti rolin tuaj, Edi, një rol aspak i vogël sigurisht, dhe angazhimin tuaj personal në këtë proces”, u shpreh Costa.

Ai theksoi se progresi i vendit është reflektuar edhe në rezultatet e fundit të procesit të negociatave.

“Javën e shkuar, ashtu siç u konfirmua edhe në Konferencën Ndërqeveritare, ne pamë ecurinë e Shqipërisë dhe Shqipëria në fakt ka përmbushur piketat e ndërmjetme për grupkapitullin e parë të çështjeve themelore”, deklaroi Presidenti i Këshillit Europian.

Sipas tij, kjo dëshmon vlerësimin e shteteve anëtare për reformat e ndërmarra nga Shqipëria.

“Kjo tregon se shtetet anëtare kanë kuptuar dhe vlerësuar angazhimin e Shqipërisë për të vijuar dhe për të ecur përpara më tej në anëtarësimin dhe rrugëtimin e saj drejt BE-së”, tha Costa.

Ai shtoi se procesi i integrimit po hyn në një fazë më kërkuese, ku fokusi do të jetë zbatimi i reformave.

“Ky është fillimi i një faze të re, një faze tjetër e cila është impenjative, e cila do të përqendrohet tek çështja e zbatimit dhe tek historiku që do të ketë Shqipëria”, u shpreh ai.

Costa theksoi gjithashtu rëndësinë e reformave në funksion të forcimit të institucioneve demokratike.

“Këto reforma, më shumë sesa kushte të vendosura nga BE, janë në fakt zgjedhje nga ana juaj për të ndërtuar institucione të forta demokratike. Kjo do të thotë një angazhim i vazhdueshëm, i prekshëm politik për sundimin e ligjit dhe për ruajtjen e një gjyqësori të pavarur dhe llogaridhënës”, deklaroi ai.

Ai inkurajoi gjithashtu intensifikimin e përpjekjeve në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Ju inkurajoj që të përshpejtoni përpjekjet tuaja për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, u shpreh Costa.

Presidenti i Këshillit Europian vlerësoi BE-në si partnerin më të rëndësishëm të rajonit.

“BE është në fakt partneri më i besueshëm i Ballkanit Perëndimor dhe i Shqipërisë. Është investuesi kryesor dhe partneri më i rëndësishëm tregtar”, tha ai.

Ai përmendi gjithashtu procesin gradual të integrimit të Shqipërisë në tregun evropian.

“BE mbështet ecurinë e Shqipërisë që Shqipëria të jetë një vend i begatë i sigurt, me anë të projekteve konkrete dhe politikave të tilla, si për shembull qasja që ju tashmë keni në zonën SEPA të pagesës në euro. Ju ndërkohë në formë graduale po integroheni në tregun unik të BE-së, në programin e roamingut apo në skemën “zbulo hekurudhën e BE”, u shpreh Costa.

Duke folur për rëndësinë strategjike të zgjerimit, ai theksoi se procesi shkon përtej dimensionit ekonomik.

“Anëtarësimi në BE është shumë më shumë sesa thjesht të jesh pjesë e tregut unik. Do të thotë që ti bëhesh pjesë e një bashkimi politik i cili është ndërtuar në bazë të disa vlerave të përbashkëta dhe zgjedhjeve të rëndësishme strategjike”, deklaroi Costa.

Sipas tij, në kontekstin aktual ndërkombëtar, zgjerimi i BE-së merr edhe një dimension gjeostrategjik.

“Në këtë kohë plot pasiguri gjeopolitike në mbarë globin dhe pa stabilitet ekonomik, më shumë sesa mundësi zgjerimi është gjithashtu një domosdoshmëri gjeostrategjike për Evropën. Është investim për paqen, stabilitetin dhe sigurinë e kontinentit tonë”, tha ai.

Në përmbyllje, Costa njoftoi edhe takimin e radhës me liderët e rajonit.

“Me këtë rast unë me kërshëri pres që të ritakohemi shumë shpejt në samitin e përbashkët BE–Ballkani Perëndimor, të premten e kësaj jave në Tivat”, u shpreh Presidenti i Këshillit Europian.

Marrë nga ATSH

Lexo më shumë nga

27-vjetori i çlirimit të Kosovës, Begaj: UÇK ishte mburoja e një populli që po shfarosej

Presidenti Bajram Begaj, mori pjesë sot në ceremoninë shtetërore të organizuar në Prishtinë me rastin e 27-vjetorit të çlirimit të…

Global 360

Rubio nderon trashëgiminë e Nënë Terezës

Sekretari i Shtetit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Marco Rubio, kujtoi figurën e Nënë Terezës gjatë një vizite në…

Diplovista

Rama për “Associated Press”: Ende s’ka projekt për Zvërnecin, ka shumë ‘gjysmë të vërteta’ që po bëhen gënjeshtra gjithnjë e më të mëdha

Kryeministri Edi Rama, në një intervistë për Associated Press (AP), theksoi se do të ecë përpara me projektin luksoz, i…

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Vizita që ndryshoi të ardhmen strategjike të Shqipërisë

Kujtime nga vizita historike e Presidentit George W. Bush në Tiranë

Profil

MILANO 2026 – BBC: Lara Colturi, skiatorja që po bën Shqipërinë krenare

Lara Colturi është vetëm 19 vjeçe, por ajo mund të bëjë historinë olimpike duke u bërë medalistja e parë e…

Masmedia

27-vjetori i çlirimit të Kosovës, Begaj: UÇK ishte mburoja e një populli që po shfarosej

Presidenti Bajram Begaj, mori pjesë sot në ceremoninë shtetërore të organizuar në Prishtinë me rastin e 27-vjetorit të çlirimit të…